Komuna e Drenasit mbyll Qendrën për Punë Sociale pasi nuk ishte dezinfektuar

Komuna e Drenasit, ka njoftuar se gjatë inspektimit në Qendrën për Punë Sociale, është vërtetuar se objekti nuk i plotëson kushtet sanitare dhe nuk janë marr masat e nevojshme për shkak të mbrojtjes nga coronavirusi.

Sipas tyre, pas këtij konstatimi nga ana e inspektorëve sanitarë, është rekomanduar që të bëhet fillimisht komplet dezinfektimi i objektit në mënyrë që të plotësohen kushtet minimale sanitare.

Përkohësisht, objekti i QPS është i mbyllur nga ana e inspektorëve deri në pastrimin dhe më pas dezinfektimin e tij.

“Po ashtu, inspektorët kanë vazhduar inspektimin edhe në bizneset që janë të vendosura në Parkun e Biznesit në Korroticë të Lartë dhe është konstatuar se dhjetëra biznese prodhuese në këtë qendër biznesi, janë duke punuar dhe të njëjtat kanë marr masat e duhura mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit në Facebook.

Deri më tani, numri i të identifikuarve me coronavirus ka shkuar në 20.

Komuna e Drenasit nuk ka të shënuar me coronavirus.