Komuna e Drenasit

Foto: Denis Sllovinja / Kallxo.com

Komuna e Drenasit gjobit me 5 mijë euro kompaninë 'Pastrimi'

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se ka gjobitur Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” me 5 mijë euro gjobë.

Kjo gjobë është shqiptuar për mosrespektim të marrëveshjes dhe Ligjit për menaxhimin e mbeturinave nga ana e kompanisë dhe pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve për mospërgjegjësi të kompanisë për mbledhjen e mbeturinave,

“Kompania në fjalë është e obliguar që të zbatojë marrëveshjen në mes të Komunës së Drenasit dhe KRM “Pastrimi”, ku DI ka konstatuar së ka bërë shkelje të vazhdueshme pasi që mbeturinat nuk i mbledh, grumbullon, trajton dhe menaxhon në përputhje me dispozitat ligjit, aktit tjera nënligjor të këtij ligji si dhe dispozitat tjera ligjore për rregullimin e veprimtarive komunale” – thuhet në postimin e Komunës së Drenasit të publikuar në Facebook.
Ata kanë thënë se vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësitë me kompanitë rajonale, të cilat vazhdojnë të janë neglizhente dhe joefektive në realizimin e obligimeve të tyre.

“Komuna e Drenasit është e obliguar që të ndërmerr të gjitha masat në shërbim të zbatimit të Ligjit në Komunën tonë dhe nëse kompania vazhdon me një gjendje të tillë, atëherë Komuna është e detyruar që ta padisë kompaninë për mospërgjegjësi dhe zbatim të marrëveshjes” – thuhet tutje në postim.