Komuna e Drenasit ankohet për mungesën e mjekëve në QKMF

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala”, që nga muaji dhjetor po përballet me mungesë të mjekëve në kujdesin parësor shëndetësor.

Kjo situatë sipas tyre vjen për shkak të inkuadrimit të mjekëve në njësitë e tjera të institucioneve shëndetësore dhe specializimeve të ndara nga Ministria e Shëndetësisë për Kujdesin dytësor dhe tretësor.

Sipas tyre, një numër i konsiderueshëm i profesionistëve shëndetësorë kanë shkëputur kontratat në kujdesin parësor shëndetësor.

“Duke marrë parasysh se dy Qendra të shërbimeve Shëndetësore janë në funksion 24 orësh, jemi duke bërë angazhim maksimal me resurset humane që kemi në dispozicion që shërbimet shëndetësore për banoret e Drenasit të ofrohen ne mënyrën sa më të mirë të mundshme”, thuhet në komunikatën e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci ka thënë se në këto rrethana Ambulantat e mjekësisë familjare për një kohë nuk do të jenë të qasshme për ofrimin e vizitave shëndetësore.

“Shpresojmë që kjo situatë të zgjasë për një kohë të shkurtër pasi që jemi në procedurë të rekrutimit të kuadrove të reja  të profesionistëve shëndetësorë. Nisur nga  gjendja e Pandemisë COVID-19, qasja në shërbime shëndetësore është rritur krahas shërbimeve bazike, prandaj lutemi që të kemi besimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë nga të gjithë”, përfundon njoftimi i Komunës së Drenasit.

KALLXO.com ka raportuar më 3 mars 2021 se edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj është krijuar nevojë emergjente për mjekë, për shkak të rënies së theksuar të numrit të tyre si pasojë e migrimit të brendshëm e atij të jashtëm.