Kompletohet Kuvendi, betohen deputetët e rinj

Deputetët e rinj kanë bërë betimin e tyre në Kuvendin e Kosovës, pasi janë dekretuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Deputeti Enver Haliti ka zëvendësuar kryeministrin Albin Kurti, Alban Hyseni  ka zëvendësuar Galuk Konjufcën,  Arta Bajralija e ka zëvendësuar Albulena Haxhiun, Fitim Haziri e ka zëvendësuar Arben Vitian, Eman Rrahmani e ka zëvendësuar Haki Abazin, Hatim Baxhaku e ka zëvendësuar Anton Qunin, Fidan Rekaliu e ka zëvendësua Lumir Abdixhikun, Xhavit Uka e ka zëvendësuar Abdullah Hotin, Besa Gaxherri e ka zëvendësuar Hykmete Bajrami, Shkumbin Gashi e ka zëvendësuar Besian Mustafa, Zikrete Haliti e ka zëvendësuar Emilja Rexhepin, Gzmend Abrashi e ka zëvendësuar Ramush Haradinajn.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Twitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Twitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.