Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
Kompleksiteti i trajtimit të sëmundjes së ekzemës
Në disa postime në “TikTok” janë promovuar kremra për të cilat pretendohet se shërojnë të gjitha sëmundjet dhe plagët e jashtme trupore, si dhe për hemorroidet e brendshme.
Ka pretendime se kremrat e reklamuara shërojnë sëmundjet e ekzemës dhe që i shërojnë të gjitha sëmundjet e lëkurës (shih këtu, këtu dhe këtu).
Dermatologët kanë shpjeguar se ekzema është sëmundja më e përhapur dermatologjike. Megjithëkëtë kanë shtuar se nuk ka ndonjë krem që do të shëronte të gjitha sëmundjet e lëkurës.
Ekzema është një sëmundje e lëkurës dhe mbetet vetëm në lëkurë, d.m.th. nuk prek organet e brendshme dhe nuk rrezikon jetën e pacientit.
Dermatologia Fatime Kokollari thotë se nuk ka krem universal që i trajton të gjitha llojet e sëmundjeve të lëkurës.
“Secili pacient duhet të vizitojë specialistin në mënyrë që të ketë diagnostikim dhe trajtim të personalizuar të problemeve shëndetësore të lëkurës”- ka thënë Kokollari.
Ndërsa, specialistja e dermatologjisë, Dafina Krasniqi, ka shpjeguar në mënyrë të detajuar për sëmundjen e ekzemës.
Krasniqi ka thënë se sëmundja ka komponentin e trashëgimisë, pastaj faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shpërthimin e saj, janë edhe alergjitë, pasi në bazë të kësaj sëmundjeje është fenomeni alergjik.
“Këtu mund të përmend kushtet mjedisore ose personat që mund të jenë alergjik nga ambienti, nga pluhurat, nga elementë të tjerë që shkaktojnë alergji edhe në organet e tjera, si p.sh. polenet e luleve që shkaktojnë alergji në organet e frymëmarrjes. Ekzema është një gjendje që shkakton lëkurë të thatë. Mund të shfaqet në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë fytyrën dhe shkon nga e butë në të rëndë. Ekzema është një gjendje e lëkurës e karakterizuar nga thatësi, kruajtje, inflamacion dhe njolla të ashpra”- ka thënë Krasniqi.
Llojet e sëmundjes së ekzemës
Krasniqi ka shpjeguar se ka disa lloje të sëmundjeve të lëkurës, e të cilat kërkojnë trajtim të veçantë.
“Dermatiti atopik është lloji më i zakonshëm i ekzemës, që prek njerëzit e të gjitha moshave. Mund të prekë fëmijët që në moshën gjashtëmuajshe. Është gjendje kronike që mundet me u përmirësu pas disa javësh, por, gjatë jetës prapë kthehet si problem. Personat të cilët kanë dermatit atopik kanë lëkurë të thatë dhe të ndjeshme. Simptomat janë kruajtje rreth ballit, faqeve, syve, në disa raste edhe në bërryla dhe te gjunjët”- ka shpjeguar ajo.
Përveç kësaj, është edhe “dermatiti seborrheik”, që sipas saj, është lloj i zakonshëm i ekzemës në fytyrë, por mund të prekë edhe lëkurën e kokës dhe gjoksin.
“Shkaktohet nga një rritje e tepërt e kërpudhave të quajtura malazsezia. Simptomat janë kruajtje dhe skuqje rreth vetullave, veshëve dhe vijës së flokëve. Mund të zhvillohet tek foshnjat dhe të rriturit. Shpesh njihet edhe tek njerzit si kapaku i djepit tek foshnjat dhe zakonisht zgjat deri në moshën gjashtëmuajshe.”- ka shpjeguar ajo.
Specialistja e dermatologjisë Dafina Krasniqi thotë se sëmundja “dermatiti kontaktues irritues” i prek njerëzit e të gjitha moshave, përfshirë foshnjat që mund të kenë këtë lloj dermatiti nëse janë të ndjeshëm ndaj locioneve, kremrave të foshnjave apo shamponeve.
Ajo thotë se dermatiti alergjik i kontaktit prek personat që janë alergjik ndaj një përbërësi në një produkt për kujdesin e lëkurës, ose produkteve tjera që vijnë në kontakt me fytyrën.
“Në rastet e tilla, sistemi imunitar shkakton një përgjigje. Kjo shkakton ekzemë dhe simptoma alergjie si thatësia, kruajtja dhe skuqja. Dermatiti alergjik dhe irritues i kontaktit mund të prekë zona të tjera të trupit, përveç fytyrës” – ka shpjeguar Krasniqi duke shtuar se është edhe një llojë tjetër i ekzemës që shkaktohet te personat e ndjeshëm ndaj dritës.
Dermatologia Krasniqi u ka bërë thirre qytetarëve që të shmangin produktet që shkaktojnë irritim në lëkurë.
“Vendosja e kremit kundër diellit në fytyrë ((Spf) ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e ekzemës së ndjeshme ndaj dritës, ashtu si shmangien e temperaturave ekstreme dhe lagështisë së lartë, preferohet jo vetëm verës por, gjatë katër stinëve të vitit. Këshilla ime është që çdo shenjë në lëkurë të diagnostikohet nga mjeku specialist” – ka thënë Krasniqi.
Trajtimi i sëmundjes së ekzemës
Ajo ka thënë se trajtimi i ekzemës është i ndërlidhur me formën e paraqitjes së saj.
“Në pjesën më të madhe të formave të lehta dhe mesatare është i mjaftueshëm trajtimi lokal, i cili lehtëson simptomat e pacientit. Në rast nevoje, mund të përdoren edhe medikamente antihistaminike në formën e tabletave që merren në mënyrë orale”- ka thënë ajo.
Kurse në rastet kur kemi të bëjmë me format e avancuara të sëmundjes, Krasniqi thotë se mund të nevojitet përdorimi i përgjithshëm (me tableta ose injeksione) i medikamenteve që luftojnë inflamacionin (anti- inflamatorët), siç është kortizoni.
I njëjti produkt mund të përdoret edhe lokalisht, në formën e kremrave që kanë efekt pozitiv kundër inflamacionit dhe kruarjeve.
Këto kremra duhet të përdoren sipas udhëzime të dermatologut.
“Nëse ai përdoret për periudha të gjata, mund të shkaktojë atrofi (tharje) të lëkurës. Te fëmijët janë të nevojshme ndërprerjet e rregullta të trajtimit me kortizon” – ka thënë ajo.
Krasniqi ka sqaruar se janë disa faktorë që e ndihmojnë mjekun të bëjë diagnostikimin dhe përshkrimin e ilaçeve.
“Mjeku mund të orientohet rreth diagnozës së një ekzeme, duke u bazuar në: historinë në detaje të fillimit të sëmundjes, simptomat që paraqet pacienti, informimin e tij rreth asaj çka na referon pacienti për alergji gjatë jetës së tij, informimin e tij rreth pranisë së ekzemës tek anëtarët e tjerë të familjes” – ka shpjeguar Krasniqi.