
Vërshimet në Mamushë, 16 gusht 2018 - Foto: KALLXO.com
Kompensimi për dëmet e vërshimeve në Mamushë, aktakuzë ndaj pesë personave për "keqpërdorim të pozitës zyrtare"
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve, nën dyshimin se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria njoftoi se të njëjtit dyshohet se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm material Buxhetit të Kosovës, në shumën prej 120 mijë e 393 euro e 31 cent.
Në njoftim u tha se – sipas aktakuzës – më 29.01.2021, në Mamushë, të pandehurit në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëkryerje i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.
Përmes veprimeve të të pandehurve, Prokuroria ka thënë se të njëjtit – po ashtu ka dyshime të bazuara – se kanë dashur që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkelin të drejtat e personit tjetër.
Prokuroria njoftoi se ngjarja u zhvillua në atë mënyrë që, i pandehuri S. M., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet e shirat e rrëmbyeshme në Komunën e Mamushës, e të pandehurit F. T., E. M., F. M. dhe V. Sh. – si anëtarë të Komisionit, përpilojnë Raportin mbi Vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe listën prej 169 fermerëve përfitues të mbështetjes financiare publike, në shumën prej 416 mijë e 874 euro e 77 cent.
“43 fermerë nga 169 sosh si fermerë përfitues janë përfshirë në listën e përfituesve në kundërshtim me opinionin ligjor të MBPZHR-së, të datës 17.07.2018 dhe në kundërshtim me vendimin për shlyerjen e njërit NIF (Numri Identifikues i Fermës), të cilët kanë përfituar mbështetje financiare në shumën prej 97 mijë e 456 euro e 61 cent, si dhe 13 persona të tjerë të cilët ishin futur në listën e përfituesve, pa qenë fare fermerë.” – u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Këta të fundit – sipas njoftimit – kanë përfituar shumën prej 22 mijë e 936 euro e 70 cent, me ç’rast Prokuroria ka thënë se i kanë shkaktuar dëm material Buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 120 mijë e 393 euro e 31 cent.
Në njoftim u tha se Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.