
Administrata e Komunës së Skenderajt, Foto: Komuna Skenderaj, Facebook
Kompensimi i dëmeve nga vërshimet, Komuna e Skenderajt zgjat orarin e punës në fundjavë
Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ka zgjatur orarin e punës edhe gjatë fundjavës për qytetarët të cilët do të aplikojnë për kompensim të dëmeve nga vërshimet.
Sipas njoftimit, do të punohet me orar të zgjatur me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të parashtrojnë kërkesat e tyre.
“Duke pas parasysh numrin e madh të kërkesave dhe për t’u dhënë kohën të gjitha familjeve të prekura që të përfundojnë këtë procedurë, kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, ka marrë vendim që edhe gjatë fundjavës, përkatësisht të shtunave dhe të dielave, të punohet me orar të zgjatur nga ora 8:00 deri në ora 19:00, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të parashtrojnë kërkesat e tyre”- thuhet në njoftim.
Komuna e Skenderajt bën të ditur se afati për të parashtruar kërkesat është hapur nga data 23 janar dhe vlen deri më 31 janar.
“Të dashur qytetarë, sa i përket parashtrimit të kërkesave në lidhje me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve nga vërshimet e fundit që ka pasur Komuna e Skenderajt, ju njoftojmë se afati për parashtrimin e kërkesave për vlerësim dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet është hapur nga data 23.01.2023 e vlen deri me 31.01.2023”- njofton Komuna.
Skenderaj ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga vërshimet e javës së kaluar. Shtëpi, biznese, rrugë, ura, vetura, janë dëmtuar nga vërshimet. Në disa prej fshatrave më të prekura nga vërshimet për disa ditë nuk është mbajtur as mësimi.
Komuna e Skenderajt ka hapur një fond për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
Kompensimi i dëmeve nga vërshimet, Komuna e Skenderajt zgjat orarin e punës