(Ilustrim) Një dyqan ushqimor në Prishtinë, Foto: REL

Kompanitë ushqimore kërkojnë lehtësira në TVSH-ja dhe dogana

Kompanitë ushqimore në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës lehtësira në TVSH dhe doganë. Në konferencën për media, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se këto kompani duhet të lirohen nga disa tatime në mënyrë që ta kenë më të lehtë aktivitetin e tyre.

Rukiqi tha se në Kosovë kompanitë kanë potencial për eksport mirëpo, sipas tij, ato po hasin në barriera si qasja në rrjetet e shitjes, qasja në financa si dhe sasia e limituar e prodhimeve.

“33% e kompanive në Kosovë duhet që të financojnë eksportin si dhe 32% kanë nevojë për plane të reja për biznes dhe marketing”, tha Berat Rukiqi.

Ndwrsa drejtori i shoqatës “PEPEKO”, Hartim Gashi, theksoi se taksa për ujë dhe lëndë djegëse është më e lartë për prodhuesit në krahasim më taksat familjare.

“Prodhuesit në Kosovë paguajnë taksë prej 0,82€ /m3 për ujë, ndërsa familjarët 0,42€ /m3”, tha Gashi.

Në këtë konferencë u tha se në një vlerësim të Institutit GAP, Kosova ka shkallën me të ulët të certifikimit si dhe të cilësisë së prodhimit.

Në projektin e fundit të Odës Ekonomike me GIZ gjerman për identifikimin e barrierave të prodhuesve të pemëve dhe perimeve për vendet e rajonit kanë marrë pjesë 150 kompani.