Kompanitë turistike nga Kosova e Shqipëria bashkë për promovimin e turizmit

Jashtë sezonit turistik por me qëllim përgatitjet për sezonin e ardhshme, rreth 50 agjenci turistike nga Kosova dhe Shqipëria u mblodhën më 14 dhe 15 dhjetor në zonën turistike të Shëngjinit.

Nikoqirët kishin përgatitur edhe oferta për sezonin e dimrit dhe të verës.

Rajoni i Lezhës përfshin disa plazhe. Por, sipas kryetarit të Bashkësisë së Lezhës, ky rajon ka edhe bukuri të tjera të cilat duhet të vizitohen.

Për të pranishmit në konferencë, ishte përgatitur edhe një video me vendet më të bukura turistike të Lezhës.

“Jemi duke bërë përpjekje që t’i japim dimenzionin që i takon Lezhës si pikë turistike. Çfarë përfaqëson Lezha mund të themi në kuptimin e turizmit. Pikë së pari të gjitha shkëmbimet detare dhe Lezha ka një vijë bregdetare prej 30 kilometrash të ndarë në disa zona. Është zona e Tales që është një zonë e jashtëzakonshme e virgjër për nga ndërtimet e egra. Është zona e bregdetit të Lagunës, që është një zonë bregdetare e mrekullueshme. Gjithashtu është zona e Shëngjinit që ne jemi munduar ta bëjmë atë që duhet por që pasojat e disa ndërtimeve kanë bërë dëmin e vet, por që në zonat e plazhit kemi ndërhyrë në përmirësimin e aspektit të pastërtisë”, tha Pjerin Ndreu, Kryetar i Lezhës.

Rajoni i Lezhës ndër vite ka zhvilluar turizmin veror ndërsa në vitet e fundit mblodhi më së shumti turistë nga të gjitha rajonet e tjera të Shqipërisë.

Plazhet në Shëngjin dhe zonave përreth ofrojnë çmime të mira por edhe rehati. Për këtë, po punohet ende nga pushteti lokal.

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj tha se kushtet dhe mundësitë janë përmirësuar nga viti në vit në rajonin e Lezhës për turizmin verorë.

“Unë e them me bindje të plotë që e kemi parë edhe gjatë kohës së pandemisë por jo vetëm, që Lezha në vitin 2015 e 2017, e gjithashtu edhe Shëngjinin, kanë pasur ndryshime të mëdha. Lezha këto dy apo tri vitet e fundit ka pasur ndryshime të mëdha, e kjo na ka hapur rrugë neve si biznese për të ecur përpara. Nëse Lezha në vitin 2018 ka akomoduar rreth 30 për qind të kërkesave që kanë ardhur nga Kosova, këtë vit ka qenë numër rekord, ku Lezha dhe Shëngjini ka marrë rreth 70 për qind të numrit të përgjithshëm të pushuesve të cilët kanë kaluar pushimet verore në Shqipëri” – deklaroi Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportuesve të Kosovës.

Kurtishaj pati edhe një kërkesë për kompanitë turistike të Shqipërisë.

“Unë dua të bëjë një thirrje, të gjithë lezhianëve, por jo vetëm, që pushimet dimërore t’i kalojnë në Kosovë” – tha ai.

Para të pranishmëve, pronarët e agjensioneve dhe operatorët turistikë të Lezhës, u shprehën optimist se vitin 2023 do të kenë oferta të volitshme.

Në fund, u prezantuan edhe vendet turistike që ia vlen për t’u vizituar, si varri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Kishat e Vjetra, Laguna, plazhet turistike, Kalaja e shumë vende të tjera.