Kompanitë, të mundësojnë rritjen e prodhimit të vaksinave, thotë OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bëri thirrje kompanive BioNTech, Pfizer dhe Moderna të rrisin përpjekjet në të gjithë botën për të shtuar prodhimin e vaksinave kundër COVID-19.

“Unë u bëj thirrje këtyre kompanive që të ndajnë njohuritë e tyre dhe teknologjinë në mënyrë që të mund të përshpejtojmë prodhimin e vaksinave edhe në vende të tjera”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të premten (2 korrik) në Gjenevë.

Ende po vazhdojnë debatet mes vendeve sesi të ketë një qasje të drejt në vaksina. Disa vende bëjnë thirrje që të hiqet patenta e prodhimit, ndërsa të tjerat janë në favor të transferimit të teknologjisë.

“Vendet e pasura janë shumë përpara me shkallën e imunizimit të popullatës, ndërsa vendet e varfra nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 10 për qind të popullatës deri në fund të shtatorit”, tha shefi i OBSH-së, transmeton agjencia DPA.

Ai gjithashtu paralajmëroi për rreziqet e variantit Delta të koronavirusit, i cili është më i transmetueshëm.

“Ne jemi në një periudhë shumë të rrezikshme të kësaj pandemie”, tha Ghebreyesus.

Virusi është në gjendje të krijojë variante të reja në shumë vende ku ka mungesë të vaksinave, tha ai.

Varianti Delta tani është i pranishëm në të paktën 98 vende, sipas të dhënave të OBSH-së/REL/.