Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve nga Kosova arrijnë në Shqipëri

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka autorizuar kompanitë e angazhuara për mirëmbajtje të rrugëve, të udhëtojnë drejt Shqipërisë, që me punëtorët e tyre dhe mjetet e punës, t’i dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit, pas dëmeve nga tërmeti i sotëm atje.

Siç njofton kjo ministri, tashmë kanë arritur në Shqipëri 6 kompani të organizuara dhe të udhëhequra nga zyrtarët e ministrisë.

“Ky veprim është bërë në dakordim me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe bazuar në legjislacionin e Kosovës në fuqi, pas iniciativës së kryeministrit Ramush Haradinaj që të ndihmohet Shqipëria me të gjitha kapacitetet”, vijon njoftimi i MIT-sw.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për ndihmë në Republikën e Shqipërisë pas tërmetit të sotëm.

Thellohet tragjedia, numri i viktimave shkon në 13, në Thumanë dhe Durrës shpëtohen 28 njerëz