Ilustrim

Kompanitë e derivateve do t'i drejtohen Gjykatës lidhur me gjobat në vlerë 4 milionë euro

Shoqata e Naftarëve të Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës përmes të cilit 14 kompani të derivateve të naftës janë gjobitur me mbi 4 milionë euro.

Përfaqësuesit e kompanive që janë gjobitur nga AKK e kanë kundërshtuar këtë vendim dhe kanë thënë se do ta ankimojnë këtë vendim në gjykatë.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje për vendosjen e çmimit të derivateve dhe asnjëherë nuk do të ketë. Berjani e ka quajtur vendimin e AKK-së, vendim arbitrar.

“Jemi mbledh me i shpreh shqetësimet kundër vendimit. Hetimi ka fillu qysh në vitin 2018, nuk ka pas dhe nuk do të ketë, e paragjykon marzhën e fitimit, 60 deri 120 %. Ne nuk kemi pas çmim kartel, nuk ka shanse me pas asi marzhe të fitimit. Vendimin e kundërshtojmë fuqishëm duke e cilësuar vendim arbitrar, nuk ka pasur marrëveshje për çmim të naftës dhe asnjëherë nuk do të ketë”, ka përfunduar Berjani.

Përfaqësuesi i “ShELL – Al Petrol” ka thënë se asnjëherë AKK nuk ka marrë vendim më absurd. Ai propozoi me iu drejtu Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë vendim, për shkak se AKK i përgjigjet këtij institucioni.

“Këta kanë bo një shkelje të rëndë, na kanë bërë kriminel që kemi fitu 64% dhe 124%. Me iu drejtu Kuvendit të Kosovës që i thirr në një seancë dëgjimore dhe me i shkarku. Apeli do të jetë në anën tonë se kemi fakte të plota. Asnjë kompani nuk është kompani dominuese në treg, janë mbi 1 mijë pompa, ne mundemi me pas deri 11% të tregut të Kosovës, nëse nuk e ke mbi 50% nuk je dominues në treg”, është shprehur përfaqësuesi i ShELL – Al Petrol”.

Më pas, Arianit Koci, avokati i “Hib Petrol”, e cila është gjobitur me mbi 1 milion euro nga AKK, ka thënë se vendimi i AKK-së ka mungesë të provave dhe argumenteve duke shtuar se është i bindur që në gjykatë ky vendim do të anulohet.

“Ky dokument ka mungesë të theksuar të provave, është i përpiluar në mënyrë të çuditshme pa asnjë vlerë juridike. Në faqen e 6 të merret me arsyeshmërinë e provave dhe argumente. AKK na mundësojnë pagesën me kiste, ky vendim nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. E kemi pas 124%, kjo është jo e saktë, nuk e di ku e kanë gjet, këtë prezantim të kësaj çështje. Ne do të kërkojmë mbrojtje ligjore. Jemi dëmtu medialisht. Jam i bindur që në gjykatë ky vendim do të anulohet”, ka thënë Koci.

Edhe pronari i “Alfa Trade” ka thënë se do ta kontestojnë në gjykatë këtë vendim të AKK-së.

“Ne do ta kontestojmë këtë aktgjykim me të gjitha masat. Ndikim i keq për kompaninë time dhe të tjerat. Nëse e fitojmë lëndën nuk do të jetë mediatike sikur është dhënë ky vendim”, ka thënë ai.

Bislim Muça nga “Lab Oil” e ka quajtur vendimin e AKK-së absurd dhe jashtë çdo logjike ekonomike.

“E ka dëmtu në aspektin ekonomik dhe imazhin. Na kanë paraqit si kompani klienteliste. Kompania jonë sanksionohet për tri pika karburanti, të gjitha kanë pas 30, 392 euro, 10 mijë euro vjetor në një pikë, shpërndarë 844 euro në muaj, kemi 55 mijë gjobë, fitimi vjetor 31 mijë euro. Ku është logjika e këtij përfitimi. Do t’i drejtohemi gjykatës, do t’i hedh poshtë këto vendime, dëmet në imazh, jam i bindur nga ato 4 mil, shumëfishin e kësaj do ta humbin nëpër gjykata, e ato janë para të taksapaguesve kosovar”, ka thënë Muça.

Edhe Naim Spahiu, përfaqësuesi i pompës së derivateve “Patroni” e ka quajtur vendim të çuditshëm dhe të paligjshëm.

“Është vendim i çuditshëm, do ta iniciojmë, asnjë provë e dorëzuar nga Patroni dhe kompani të tjera nuk është marrë për bazë në vendim. Edhe ne e kontestojmë në tërësi si vendim të paligjshëm”, ka potencuar Spahiu.

Kundërshtimit të këtij vendimi i është bashkuar edhe kompania tjetër e cila është gjobitur nga AKK, pompa e karburanteve “Alba Petrol” në Viti.

“Ne e kundërshtojmë vendimin, vendim i cili nuk është i bazuar në fakte reale, AKK e ka vendos një masë ndëshkuese, gjë që ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim”, ka thënë Avni Haliti, përqafësues i “Alba Petrol”.

Përfaqësuesi i “Ibrahimi Petrol”, Arsim Hoxha e ka quajtur vendimin e AKK-së si të padrejtë.

“Në seancën dëgjimore që e kemi pas me ta, i kemi shpalos provat, vendimi i tyre është i padrejtë dhe i gabuar, jam ekonomist edhe kam analizuar vet vendimin, e kompania ka pas fitim 124% është totalisht gabim. Kemi për obligim me i tregu konsumatorëve që kemi qenë transparent ndaj tyre. Nuk ka pas fitim 124%. Është gabim”, ka shtuR Hoxha.

Edhe Kushtrim Krasniqi, përfaqësues i “Benita Company” nga Klina kanë thënë se do ta kundërshtojnë vendimin në gjykatë.

“E shprehim kundërshtinë tonë që e ka marrë AAK sepse është i padrejtë për pretendimet që i ka ngrit nuk është i bazuar në asnjë fakt. Edhe ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe do ta ankimojmë te Gjykata kompetente”, ka thënë ai.

Në fund, kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani ka thënë se do t’i drejtohen me shkrim Kuvendit të Kosovës.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjobitur me mbi 4 milionë euro 14 kompani të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

Kompanitë e derivateve të cilat janë gjobitur janë: NTP Ibrahimi – 33,640 euro, Patroni – 38,276 euro, Veda 2 – 46,531 euro, Alba Petrol – 49,293 euro, Lab Oil – 55,175 euro, Benita Company – 58,450 euro, Fat Oil – 101,169 , Petrol Oti Slovenia – 117,875 euro, Petrol Company – 191,535 euro, Alfa Trade ShPK – 213,782 euro, Ipkos 498,338 euro, EXFIS – 537,899 euro, Al Petrol – 989,493 euro dhe HIB Petrol – 1,108,988 euro.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!