Bordi i ZRRE-së, Foto: Facebook

Kompania ‘Sowi Kosovo’ merr leje për prodhimin e energjisë së ripërtritshme

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka pajisur me leje për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme ndërmarrjen “Sowi Kosovo” L.L.C, nga Parku me erë “Selac 3”, me kapacitet prej 34.47 MW në lokacionin ZK Selac të Komunës së Mitrovicës.

Përmes një njoftimi për media, ZRRE bën të ditur se ndërmarrja kosovare-gjermane-izraelite “Sowi Kosovo” ka ndërtuar tashmë tri projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga era në komunën e Mitrovicës, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 MW.

“Me vendimin e sotëm është licencuar për operim edhe projekti i tretë i kësaj kompanie i cili konsiderohet të jetë më i madhi në rajon për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtritshme të energjisë elektrike. Me licencimin e këtij projekti është arritur vlera e kapaciteteve nga këto burime të ripërtritshme prej 230 MW”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas ZRRE-së, sot janë lëshuar autorizimet për VET – KONSUM edhe për 9 gjeneratorë për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike/solare, me kapacitet prej 644.94 KW.

Bordi i ZRRE-së, gjithashtu ka aprovuar kërkesën për vazhdim të Licencës për furnizim me shumicë me energji elektrike të ndërmarrjes “GEN-I Tirana” sh.p.k – Dega në Kosovë.

ZRRE-ja njofton së Bordi gjatë takimit të sotëm ka shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve.