Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Kompania rreth 60 mijë euro më e shtrenjtë fitoi tenderin për ndërtim të rrugës në Fakultetin e Bujqësisë

Në tenderin për rregullimin e rrugës në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Universiteti i Prishtinës ka zgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë për të kryer punët.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, çmimi i ofertës së kompanisë fituese ishte 60,232 euro më i shtrenjtë se oferta e kompanisë që ishte eliminuar.

Kompania me çmim më të lirë ishte eliminuar me arsyetimin se i mungojnë certifikatat ISO si dhe se për menaxherin e projektit, kompania nuk e kishte ofruar certifikatën për sistemin hidroizoluese kristaline, riparuese dhe mbrojtëse.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kompania fituese nuk i kishte plotësuar as disa kritere që ishin kërkuar me në dosje të tenderit.

Kompania fituese kishte ofruar dëshmitë që inxhineri i gjeodezisë ka eksperiencë profesionale dyvjeçare, ndërsa përvoja e kërkuar në dosje të tenderit ishte katër vite.

Po ashtu, kompania fituese, në listën e ofruar për projektet e kryera, si dhe në kontratat apo referencat e ofruara, nuk kishte dëshmi se kishte kryer projekte në fushën e ngjashme, siç është ndërtimi i rrugëve dhe kanalizimeve.

“Vlen të theksohet se edhe në certifikatën e regjistrimit të biznesit, në aktivitetet e biznesit nuk figuron si fushëveprimtari ndërtimi i rrugëve dhe kanalizimeve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

“Rektori, duhet t’i analizojë rastet e mësipërme dhe të vendos kontrolle efektive në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit, si dhe të siguroj se janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për marrjen e ofertave më të lira dhe përzgjedhjen e OE të cilët e plotësojnë kriteret e vendosura”, ka rekomanduar ZKA.