Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Kompania që ka përgatitur ushqim për FSK-në zotohet për ofrim të shërbimit deri në zgjidhjen e problemit

Kompania “Beni Dona” përmes një komunikate për media ka thënë se është zotuar te Ministria e Mbrojtjes për ofrimin e ushqimit për ushtarët e Kosovës nëpër kazermat e FSK-së, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të furnizimit me ushqim.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Por Liridona Gashi, këshilltarja e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se nuk e kanë pranuar një zotim të tillë. Sipas saj, sot kuzhinat nëpër kazermat e FSK-së janë duke funksionuar normalisht, pas huazimit të kuzhinerëve nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Në zotimin që e mban datën 30.09.2024, kompania “Beni Dona” ka thënë se duke marrë për bazë situatën e krijuar dhe duke marrë për bazë që ushtarëve të Kosovës t’i shërbehet ushqimi sipas standardeve ushtarake, kjo kompani është zotuar që të ofrojë ushqim për ushtarët me gjithë kapacitetet deri në gjetjen e zgjidhjes.

“Zotohem që jam i gatshëm të vazhdojë të mbështesë me gjithë stafin profesional që kam në dispozicion dhe të gjitha pajisjet që i kam aktualisht në kazerma dhe të ofrojë shërbimet e përgatitjes dhe shpërndarjes së ushqimit për ushtarët e Kosovës deri në një kohë kur ju jeni të gatshëm të vazhdoni të kryeni këto shërbime me stafin, pajisjet dhe artikujt ushqimor të organizuara nga ju” – thuhet ndër të tjera në zotimin e kompanisë.

Kompania “Beni Dona” ka thënë se në disa kuzhina sot është lejuar të hynë punëtorët e tyre, ndërsa në disa kuzhina tjera jo.

Në komunikatën për media, kjo kompani ka thënë se nuk ka marrë ende përgjigje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Por këshilltarja e ministrit Maqedonci, Liridona Gashi për KALLXO.com ka thënë se nuk e ka një informatë të tillë dhe nuk e ka parë një zotim të tillë nga ana e kompanisë në fjalë.

“Me thënë të drejtën unë nuk kam informacion të tillë. As për këtë nuk kam informatë, mirëpo mund ta shoh si rast nëse ekziston një rast i tillë apo jo. Mirëpo ajo që është, sot janë angazhuar kuzhinierët të huazuar prej Qendrës Studentore edhe prej Shërbimit Korrektues të Kosovës. Të gjitha kuzhinat janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër” – ka thënë Gashi.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

Historia e ‘tenderëve njëburimor’ të Ministrisë së Mbrojtjes për ushqimin e ushtarëve të FSK-së