Kompania 'Pastrimi' sërish nuk do të mbledhë mbeturinat, shkak mbyllja e deponisë ku zbrazen kamionët
Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ ka njoftuar se nuk do mbledh mbeturinat pasi deponia ku zbrazen kamionët është mbyllur nga ana e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).
“Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se për shkak të mbylljes së deponisë nga ana e KMDK-së, kamionët e Kompanisë “Pastrimi” nuk munden të zbrazen. Si pasojë e kësaj mbeturinat në Komunën e Prishtinës dhe Komunat tjera ku operon Kompania “Pastrimi” nuk do të grumbullohen”, thuhet në njoftim.
Në njoftim ‘Pastrimi’ potencon se është e pakuptueshme që një gjë e tillë të ndodhë në temperature kaq tq larta, ku rrezikohet përhapja e ndonjë epidemie.
“Është e pa kuptueshme si në këto temperatura kaq të larta të ndodhë një gjë e tillë. Kjo mund të ketë pasoja në shëndetin publik për shkak të ndonjë rreziku të përhapjes së ndonjë epidemie për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave në qytet”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje, kompania shton se gjatë fluksit më të madh të punës, deponia mbyllet çdo ditë kurse, hapet në përfundim në orarit.
“Po ashtu duhet të ceket se gjatë fluksit më të madh të punës, çdo ditë Deponia mbyllet, ndërsa hapet në përfundim të orarit dhe kështu drejtpërdrejtë atakohen punëtoret e Kompanisë “Pastrimi”. Për neve një maltretim i tillë është i papranueshëm. Lutemi të gjendet sa më parë një zgjidhje pasi situata në qytet është tepër rëndë”, janë shprehur nga kompania “Pastrimi”.
Kompania për menaxhimin e deponive ka marr një hap të tillë edhe javë më parë për shkak të mos pagesës së borxhit që “Pastrimi” i ka kësaj kompanie.
Kallxo.com ka kontaktuar edhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive dhe është në pritje të detajeve lidhur me këto zhvillime.
Veprimtaria e kompanisë “Pastrimi” përfshinë Regjionin e Prishtinës me komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.