Foto: KALLXO.com

Kompania ‘Pastrimi’ sërish me probleme për mbledhjen e mbeturinave, i kufizohet orari deponimit

Kompania Regjionale e Mbeturinave ‘Pastrimi’ ka njoftuar se prapë ka probleme me mbledhjen e mbeturinave, pasi që Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), i ka kufizuar orarin e deponimit të mbeturinave.

Përmes një njoftimi, kompania ‘Pastrimi’ ka thënë se që nga sot më 6 qershor, për shkak të kufizimeve nga ana e Deponisë sanitare në Mirash, nga ora 11:00 deri në orën 16:00 nuk lejohet deponimi i mbeturinave në Mirash.

“Si pasojë e këtij kufizimi Kompania ‘Pastrimi, e ka të pamundur të bëjë grumbullimin, largimin dhe transportimin e mbeturinave. Orari i caktuar nga ana e KMDK-se, e konkretisht për deponim te mbeturinave ne qytetin e Prizrenit dhe Gjilanit është orar i paarritshem nga ana e kompanisë sonë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për moskryerjen e shërbimit të largimit të mbeturinave, pasi sipas tyre, kufizimi i orarit pa mundëson kryerjen e shërbimit.

Muajin e kaluar kompania ‘Pastrimi’ ka pasur një problem tjetër me Kompaninë e Menaxhimit të Deponive, pasi që këta të fundit pretendonin se ‘Pastrimi’ ka borxh ndaj tyre.

Prishtina ‘pushtohet’ nga bërlloku – FOTO