
Kompania "Pastrimi": Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij
Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas Vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për krizën me mbeturinat në Kryeqytet.
Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendon se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.
Sipas tyre, kryetari Rama, deri sot, më 03.02.2025, në orën 09:00, nuk ka dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë dhe as dokumentet e tyre për regjistrim.
“Vetëm pak para Konferencës, rreth orës 09:00, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm.” – thuhet në njoftim, më 03.02.2025.
Kompania “Pastrimi” shton se Kryetari i Prshtinës ka kërkuar nga disa punëtorë të kësaj Kompanie që të njëjtit të sabotojnë shërbimin, vetëm “për të krijuar kaos” e siç thonë ata “për t’ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave Kompanisë private”.
“Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave – duke pretenduar se ‘Pastrimi’ nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim në 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën ta pastrojmë nga mbeturinat.” – shkruhet në njoftim.
Tutje, Kompania “Pastrimi” ka akuzuar Komunën e Prishtinës se ka për synim hapjen e një tenderi me negocim, ku sipas tyre, ekzistojnë dyshime se fitues është një Kompani që siç thuhet ka tradicionalisht lidhje me pushtetin komunal.
“Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen. Rregullorja e Kuvendit do të shkelet dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.” – deklaron Kompania “Pastrimi”.
Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për krizën me menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet.
Në një Konferencë për media, të mbajtur të hënën, më 03.02.2025, kryetari Përparim Rama dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin” e cila, sipas tyre, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.
Ndërkaq, shefi i asamblistëve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar duke thënë se problemi i mbeturinave në Kryeqytet është “lufta mes LDK-së dhe PDK-së”. Sipas tij LDK ka për qëllim privatizimin, ndërsa PDK në Prishtinë po abuzon me paratë publike.
Shpallja e një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për menaxhim të mbeturinave në nëntor 2024 nxiti protesta nga “Pastrimi”, të cilët shfaqën shqetësimin e tyre se ky hap i Komunës do t’i çojë drejt falimentimit.
Derisa ditë më vonë opozita LVV-PDK në Kuvendin Komunal ndryshuan Rregulloren që i mundësonte Komunës angazhim të Kompanive private për menaxhim të situatës me mbeturina, shfuqizimi i kësaj Rregulloreje ndërpreu edhe procedurën për tenderin 16 milionësh për 5 Kompani private.
Kompania “Pastrimi” përkrahet financiarisht nga 7 Komunat e regjionit të Prishtinës, ku ushtron veprimtari. “Pastrimi” disa herë është përballur me borxhe edhe ndaj Kompanisë për menaxhimin e deponive, KMDK, e cila në vitin 2022 ia kishte ndaluar qasjen në deponinë në Mirash të Obiliqit. Veprimtaria e Kompanisë “Pastrimi” përfshin regjionin e Prishtinës me Komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë. Largimi i Prishtinës si financuese do të shkaktojë jostabilitet, por edhe përgjegjësi shtesë për Komunat e tjera.
Plani për delegim të pastrimit të kryeqytetit edhe te kompani të tjera ‘alarmon’ “Pastrimin”