Kompania ‘Pastrimi’ mban protestë me kamionë, kërkojnë qe të përfshihen në Pakon Emergjente

Punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave ‘Pastrimi’ kanë mbajtur një protestë me kamionë në rrugët e Prishtinës.

Kërkesa e kësaj kompanie është që punëtorët e saj të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë.

Kryeshefi i ‘Pastrimit’, Burim Kelmendi për KALLXO.com ka thënë se protesta është mbajtur në formën që ata kanë kërkuar, ndërsa ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e qeverisë, në lidhje me kërkesën e tyre.

“Protesta është mbajtë me kamionë. Atë formë e kemi kërku prej fillimit, për mos me i rreziku qytetarët. Kërkesa konkrete është përfshirja në Pakon Emergjente. Asnjë përgjigje deri më tash nuk kemi marrë prej Qeverisë, as nuk na kanë thirrë në takim. Jemi bashku krejt kryeshefat e e krejt Kosovës bashkë, e kemi bo të unifikuar kërkesën ”, ka thënë Kelmendi për KALLXO.com.

Ai po ashtu ka thënë se kompania ka filluar të ketë probleme financiare, për shkak të mos pagesës së faturave, ndërsa sipas tij, rreth 700 punëtorë sa i ka ‘Pastrimi’, rrezikojnë të mbesin pa paga, për shkak se janë kompani është vetfinancuese.

“Tash jemi ardh në fund, është edhe muaji i ramazanit, prapë po shihet që nuk kemi inkasim qysh duhet. Edhe pse janë liru masat, por borgjet  janë mbledh për tre muaj. Ne bëjmë inkasim 600 mijë euro në muaj, për këto tre muaj i kemi humb 1.2 milionë euro. Dhe i kemi shterrë të gjitha rezervat, asnjë pagesë nuk e kemi bo, përveç për naftë dhe rroga të punëtorëve. Tash rrezikojmë që mos me pasë edhe rrogat me i pagu, e lëre mo borgjet tjera që na u kanë mbledh”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka deklaruar se kompania rrezikon që të mos ofrojë shërbime, pasi nëse nuk paguhen faturat apo nuk përfshihen në Pakon Emergjente, automjetet mund të mbesin pa naftë dhe punëtorët pa paga.