
Kompania "Pastrimi" i kundërpërgjigjet Komunës së Prishtinës
Pas akuzave ndaj tyre, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” i është kundërpërgjigjur kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.
Drejtori Brestovci, në një Konferencë për media, sot, më 13.02.2025, deklaroi se shpërndarja e kontejnerëve nuk po bëhet nga vetë Ndërmarrja “Pastrimi”, për arsye që tha se mund të jenë politike.
Madje, ai tha se Ndërmarrja “Pastrimi” i ka prishur edhe gjashtë kamionët, të cilët thotë se Komuna ia ka dhënë më 6 shkurt të këtij viti, në mënyrë që sipas tij që atë natë të fillojë puna për mbledhjen e mbeturinave.
Përmes një reagimi publik, Ndërmarrja “Pastrimi” kanë hedhur poshtë këto akuza, derisa kanë fajësuar Komunën se po mbajnë “peng” dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave – duke mos i vënë në funksion për qytetin.
“Dyshimet janë të bazuara: kjo po bëhet për t’ia dorëzuar më vonë një Kompanie private, e cila pritet të operojë me to. Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të Kryetarit Rama.” – thuhet në reagimin e tyre.
Ndërsa, të pavërtetë e kanë quajtur deklaratën e Brestovcit për dëmtimin e gjashtë kamionëve.
Për këtë, nga “Pastrimi” thonë se Komunës së Prishtinës u janë drejtuar me e-mail, për t’i informuar për problemet teknike të kamionëve, pasi sipas tyre ata nuk janë testuar kur janë blerë dhe se kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi.
“Nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave, duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Tutje, Kompania “Pastrimi” kanë akuzuar Komunën e Prishtinës se me çdo kusht dëshirojnë që menaxhimi i mbeturinave në Kryeqytet t’i jepet një Kompanie private, në mënyrë që sipas tyre Kompania “Pastrimi” të eleminohet tërësisht.
“Kjo nënkupton që mbi 900 punëtorë do të mbeten pa punë, por kjo duket se nuk përbën problem për ju. Fondi prej 16 milionë eurosh është shumë i konsiderueshëm dhe për fat të keq po trajtohet më shumë si një mundësi për të shlyer borxhe të tjera, sesa si investim në shërbime më të mira për qytetarët.” – shkruan “Pastrimi”.
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, më 05.02.2025, njoftoi qyetarët se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, nga data 01.01.2025.
Ndërmarrja “Pastrimi” kundërshtoi këtë Vendim të Komunës, më 03.02.2025, duke thënë se i njëjti është pa asnjë bazë ligjore dhe bie në kundërshtim me Rregulloren për Menaxhimin e mbeturinave, e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vendimi, sipas “Pastrimit”, dëmton qytetarët dhe përbën shkelje të rëndë ligjore.
Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar edhe pas Vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes emergjente për krizën me mbeturinat në Kryeqytet.
Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendon se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.
KALLXO.com ka siguruar Raportin zyrtar të Komunës së Prishtinës, të përpiluar më 06.02.2025, për gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet, përmes të cilit konstatojnë se gjendja me mbeturina është alarmante.
Çka thotë raporti i Komunës së Prishtinës për gjendjen me mbeturina?