Kompania ‘Pastrimi’ e faturoi Komunën e Prishtinës më shumë sesa e shërbeu

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A e faturoi Komunën e Prishtinës më shumë sesa e shërbeu.

Në muajin tetor shërbeu për 5 kontejnerë ndërsa faturoi për 20, ndërsa në dy muajt pasues nga një e dy më tepër.

“Nga dymbëdhjetë (12) mostrat e testuara të shërbimeve në mes KRM Pastrimit dhe Komunës së Prishtinës, në tri (3) prej tyre kemi vërejtur dallime mes raporteve të shërbimeve të operativës dhe faturimit: • Për muajin Tetor, operativa ka shërbim për 5 kontejnerë 7m³, kurse faturimi është bërë për 20 kontejnerë 1.1m³. Është faturuar 55€ më shumë; • Për muajin Nëntor, operativa ka shërbim për 4 kontejnerë 7m³ kurse faturimi është bërë për 5 kontejnerë 1.1m³. Është faturuar 44€ më pak; • Për muajin Dhjetor, operativa ka shërbim për 3 kontejnerë 7m³, kurse faturimi është bërë për 5 kontejnerë 1.1m³. Është faturuar 23€ më pak. Çmimi sipas kontratës me Komunën për kontejnerë njësi 1.1m³ është 8€ kurse për ata 7m³ është 21€”, thuhet në gjetjen e raportit.

Sipas raportit, kjo kishte ndodhur për shkak se shërbimi i operativës ka pasur mendimin që po tejkalohen sasitë totale respektive të kontejnerëve në kontratë dhe ka bërë konvertimin nga një lloj në tjetrin gjatë faturimit.

Faturimi i pasaktë dhe i pabazuar në raportet e shërbimeve të operativës, sipas raportit, ndikon në mbivlerësimin apo nënvlerësimin e të hyrave të kompanisë dhe nuk pasqyron drejtë të hyrat, andaj bordit të drejtorëve ju rekomandua të forcojë kontrollën.

“Bordi i Drejtorëve duhet të forcojë kontrollet e brendshme në shërbimin e operativës dhe tek sektori i faturimit, në mënyrë shërbimet e kryera të faturohen në bazë të kontratës me Komunën e Prishtinës”, rekomandon raporti.

Në kontratën të cilën referohet auditori për këtë gjetje, Neni 11.5 i kontratës lidhur ndërmjet KRM Pastrimit dhe Komunës së Prishtinës, për ofrimin e shërbimeve primare të menaxhimit dhe grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës, thuhet se Komuna do ta paguaj ndërmarrjen për shërbimet e kryera bazuar në shtojcën C të kësaj kontrate. Si dëshmi për faturimet e kompanisë ndaj klientëve, janë raportet e shërbimit të operativës.

Nga menaxhmenti i ndërmarrjes janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 16 Qershor 2022 nga kryeshefi ekzekutiv Burim Kelmendi,  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të KRM Pastrimi Sh.A për vitin 2021”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.