Kompania Pastrimi: Do ta rrisim çmimin e faturës së mbeturinave

Bërlloku që mbuloi kryeqytetin mëngjesin e së martës, pritet të hiqet së shpejti nga kompania “Pastrimi”, pasi tashmë kjo kompani do të ketë qasje për të zbrazur kamionët e saj me mbeturina në deponinë e Mirashit prej orës 10:00.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com kryeshefi i ndërmarrjes “Pastrimi”, Burim Kelmendi.

Sipas tij, rritja e çmimit për mbledhje të mbeturinave brenda muajit është e pashmangshme.

“Sot prej orës 10:00 do na lejojnë t’i zbrazim kamionët, kështu na është thënë se është masa kufizuese nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave. Jemi kontaktuar nga të gjitha komunat në të cilat operojmë lidhur me këtë problem. Ne e kemi me patjetër që si shkak i rritjes së çmimeve të rrisim edhe faturën mujore për mbledhje të mbeturinave, pra nga 3.80 euro në 6 euro në muaj”, ka thënë Kelmendi.

Ai shtoi se subvencioni prej 100 mijë euro që i ndau komuna e Prishtinës nuk është alokuar ende në llogarinë e ndërmarrjes.

Derisa, Avdullah Haxhiu, kryeshef i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës ka thënë se për këto 3 ditë kanë vënë masa kufizuese për disa orë, jo bllokim të plotë të qasjes në deponi.

Ai shtoi se nuk e di pse nuk janë zbrazur kamionët gjatë ditës së djeshme, kur kufizimi ka qenë për 3 orë.

“Ne edhe dje kemi njoftuar që kjo është një masë paralajmëruese si shkak i borxheve që ‘Pastrimi’ ka ndaj nesh. Pra, dje ka qenë kufizmi për 3 orë, ku është ndalu qasja në deponi. Nuk e di pse nuk i kanë zbrazur kamionët gjatë orëve tjera të ditës, nuk ka qenë bllokadë totale e qasjes në deponi”, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij, sot kufizimi për qasje në deponi ka qenë prej orës 08:00 deri në 10:00.

“Edhe sot kufizimi ka qenë për dy orë, nga 08:00-10:00, pastaj gjatë pjesës tjetër të ditës ata e kanë të hapur qasjen në deponi”, shtoi Haxhiu.

Ai tha se tre herë kanë bërë marrëveshje me kompaninë “Pastrimi” për ri programim të borxhit, madje në muajin shkurt ka pas masa edhe në bllokim të xhirollogarive.

“E gjitha kjo po ndodhë nga mos pagesa e borxhit që kjo kompani, ne kemi bërë tri herë marrëveshje për ri programim të borxhit, por nuk po respektohen. Ne madje edhe në muajin shkurt kemi bërë bllokim të xhirollogarive si masë paralajmëruese dhe i kemi njoftuar paraprakisht edhe për këto kufizime”, ka thënë Haxhiu.

Prishtina ‘pushtohet’ nga bërlloku – FOTO