Kompania nga Shqipëria do të hulumtojë kualitetin e qymyrit në Obiliq

Një kompani nga Shqipëria është kontraktuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për të bërë shpimet në fushën jugore të minierës e re për të bërë hulumtimin e kualitetit të qymyrit.

Grupi i operatorëve ekonomik nga Shqipëria, “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A” janë shpërblyer me kontratën në vlerë 2.5 milionë euro.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 9 muaj.

“Kontrata ka të bëjë me programin e shpimeve hulumtuese gjeologo–gjeomekanike dhe hidrogjeologjike në fushën jugore, me qëllim të hulumtimit, azhurnimit dhe verifikimit të të dhënave ekzistuese gjeologjike për kualitetin e qymyrit në fushë është hartuar programi i 133 shpimeve plotësuese”, thuhet në kontratë.

Kompania nga Shqipëria ka qenë e vetmja që është shpallur e përgjegjshme nga KEK-u, nga gjashtë që kishin aplikuar në këtë tender. Konsorciumi nga Shqipëria, “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A”, është shpallur i përgjegjshëm dhe më pas fitues edhe pse Shqipëria nuk e ka qymyrin burim primar të energjisë elektrike.

Sipas Strategjisë Kombëtare të Energjisë në Shqipëri 2018-2030, furnizimi primar i energjisë në Shqipëri dominohet nga nafta, hidrocentralet dhe energjia elektrike e importuar, gjë që tregon se importet e nënprodukteve të naftës, energjia elektrike dhe një sasi e vogël e qymyrit përbëjnë mbi 56% të të konsumit të energjisë primare.

Strategjia minerare e Shqipërisë gjykon se shfrytëzimi i burimeve të qymyrit nuk është me leverdi, por ato mund të vihen në punë në rast se qymyri përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas energjia.al, vetëm se burimet aktuale nuk janë në gjendje të ushqejnë termocentrale të mëdha, për këtë arsye propozohen termocentrale deri në 5 MW”

Fillimisht më 2 korrik të vitit 2018 është nënshkruar kontrata e parë për të bërë shpimet në fushat jugore dhe veriore të minierës së re të KEK-ut. Kompania nga Beogradi, “ENCON Technologies & Rudarski Institut – Beograd & Geoing Group” fitoi kontratën në vlerë prej 1.1 milion euro.

Këtë kontratë e kishte fituar pa tender të hapur, pasi procedura e kontraktimit ishte e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Ajo e kishte marrë tenderin pasi Instituti INKOS, që kishte ofertuar gjysmë milion euro më pak, ishte eliminuar nga gara si i papërgjegjshëm.

Rreth gjashtë muaj më vonë, më 28 dhjetor të vitit 2018, KEK-u përsëri ka hapur tender për shpime, por kësaj here shpimet do të bëheshin vetëm në pjesën jugore të minierës së re.

Më 28 mars, KEK e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomik nga Shqipëria, “Bindi Sh.P.K; A.L.T.E.A & GEOSTUDIO 2000; PPC Albania Sh.A”. Oferta e operatorit nga Shqipëria ishte në vlerë prej 2.5 milionë euro, gjysmë milioni më pak se vlera e parashikuar për këtë kontratë.

Në muajin tetor është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës, kurse më 4 nëntor të këtij viti, KEK-u ka nënshkruar kontratën për shpimet në pjesën jugore të minierës së re.

Në këtë tender, KEK-u kishte kërkuar që kompanitë ofertuese të kenë parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 21 nëntor 2018, për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe dhe ato boshnjake.

“Me rastin e ofertimit, çdo OE duhet te ketë parasysh vendimin e Qeverisë me numër 01/76, datës 21.11.2018 për taksen 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnja dhe Hercegovina”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.

Ky njoftim i KEK-ut është publikuar në faqen E-prokurimit më 12 shkurt, gati dy muaj pas publikimit të njoftimit për kontratë.

Kallxo.com në muajin prill kishte shkruar se si një kompani nga Serbia e kishte fituar kontratën dhe një tjetër nga Shqipëria është rekomanduar për kontratë nga Korporata Energjetike e Kosovës për të bërë shpimet në fushat veriore dhe jugore të minierës e re. Të dy kontratat e KEK-ut kanë vlerë rreth 3.6 milionë euro.

Kompanitë nga Serbia e Shqipëria hulumtojnë për rezervat e qymyrit në Obiliq

 

.