Ilustrim

Kompania franceze fiton tenderin për të ndërtuar parkun diellor në Shqipëri

Kompania franceze “Voltalia SA” ka fituar tenderin për ndërtimin e një parku fotovoltaik prej 140 megavatësh (MW) në Shqipëri, pasi ofroi të shiste gjysmën e energjisë së tij në Shqipëri për më pak se gjysmën e çmimit fillestar të kërkuar, transmeton Reuters

“Voltalia”, e cila ishte e vetmja nga pesë ofertuesit përfundimtarë që plotësoi kriteret teknike për projektin në zonën e Karavastës, do t’i japë Shqipërisë një zbritje për 15 vitet e para të kontratës së saj 30-vjeçare, pasi vendi kishte thënë se nuk do të blinte energji për më shumë se 55 euro për megavat orë (MWh).

“Është 24.89 euro për MWh,” tha kreu i komisionit për vlerësimin e ofertave, Enea Karakaci, duke duartrokitur pasi njoftoi rezultatin e tenderit të mërkurën.

Tenderi u nis në janar dhe u vonua dy herë për shkak të shpërthimit të coronavirusit dhe ndalimit të udhëtimeve. Sidoqoftë, 15 ofertues morën pjesë në turne  më 2 mars, ata iu përgjigjën 200 pyetjeve, tha Karakaci, përpara  tenderit online më 8 maj.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se investimi 100 milionë euro në Karavasta, i cili merr mesatarisht 2,700 orë diell në vit, do të ndërtojë parkun më të madh të energjisë diellore në Ballkan.

“Voltalia” do të shesë gjysmën e energjisë së saj në Shqipëri me 24.89 euro për MWh për 15 vitet e para të kontratës dhe pjesën tjetër në tregun e hapur.

Shqipëria hapi tenderin si pjesë e diversifikimit të energjisë për të zvogëluar varësinë në hidrocentrale.