Arkiv

Kompania 'EcoDrini' ka aplikuar në ZRrE për autorizim të ndërtimit të hidrocentralit në Drinin e Bardhë

Kompania ‘EcoDrini Sh.P.K’ ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për autorizim të ndërtimit të hidrocentralit në Drinin e Bardhë në vitin 2019.

Sipas përgjigjeve të ZRrE-së të dërguara në adresë të KALLXO.com, thuhet se ky hidrocentral do të jetë me sistem të digës dhe do të ndërtohet në fshatin Dobrushtë në Komunën e Prizrenit.

“Kompania EcoDrini Sh.P.K ka aplikuar në ZRRE me 18 korrik 2019 për marrjen e autorizimit për ndërtim të Hidrocentralit me sistem të Digës, në luginën e lumit Drin, lokacioni Dobrushtë në Komunën e Prizrenit”, thuhet në përgjigjet e ZRrE-së dhënë për KALLXO.com.

Gjithashtu nga ZRrE kanë sqaruar se aktualisht ky proces nuk mund të zhvillohet sepse nuk ka bord funksional.

Debati Publik për ndërtimin e këtij hidrocentrali do të mbahet me datën 25 shkurt në po këtë fshat ku po planifikohet ndërtimi i këtij hidrocentrali 9 megavatësh.

Në këtë diskutim, sipas njoftimit, do të diskutohet për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Debati Publik do të organizohet edhe në mënyrë virtuale në platformën ZOOM.

Ndërtimi i hidrocentralit 9 megavatësh në lumin Drini i Bardhë, publikohet data e debatit publik nga komuna e Prizrenit