Foto: Ilustrim

Kompania e transportit të parave grabitet në Leposaviq

Të enjten, rreth orës 10:40, në vendin e quajtur Kratinë të komunës së Leposaviqit, ka ndodhur një grabitje e armatosur, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas tyre, cak i grabitjes kanë qenë veturat e kompanisë “Henderson” që transportojnë para.

Tre persona janë lënduar në këtë incident.

“Në vendin e ngjarjes patrulla ka gjetur tri vetura duke u djegur. Për rastin është kërkuar edhe asistenca e njësisë së zjarrfikëseve. Në rast janë të lënduar tre persona të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjithashtu në njoftim është thënë se sulmuesit-grabitës janë larguar dhe njësitë policore janë në kërkim të tyre. Po ashtu, raportohet se njësitë relevante policore janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes. /REL