Ilustrimi: Kallxo.com

Kompania e sondazheve i reagon këshilltarit të presidentit: Nuk kemi afërsi me asnjë subjekt politik

Kompania UBO Consulting, që merret me hulumtimin e tregut, hulumtimet socio-ekonomike dhe politike në Kosovë, përmes një komunikate ka thënë se nuk ka afërsi me asnjë subjekt politik në Kosovë.

Dje, këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj tha se një anketë të UNDP-së e ka bërë UBO Consulting, që sipas tij, e favorizon Albin Kurtin.

Në komunikatën e kompanisë thuhet se hulumtimet që realizohen janë në përputhje me trendet globale të metodologjive shkencore hulumtuese dhe ka mohuar se favorizon ndonjë subjekt politik.

“Përmes kësaj komunikate, UBO Consulting demanton që ka afërsi të veçantë me ndonjë subjekt politik, përderisa vazhdon të bashkëpunojë me pothuajse të gjitha subjektet politike në realizimin e hulumtimeve në nivel qendror dhe lokal. Me këtë rast, UBO Consulting poashtu dëshiron të sigurojë klientët e vet dhe opinionin e gjerë publik që kompania do të vazhdoj të mbeshtetet në profesionalizëm, etikë dhe integritet të lartë të punës gjatë realizimit të të gjitha projekteve hulumtuese”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e UBO Consulting.