Kompania e motrës së Bashkim Ramosajt, e dërgon komunën që ai e drejton te përmbaruesi
Kompania “Limi Vizion” kishte kryer punë për Komunën e Deçanit në vlerë prej 10 mijë e 424 euro gjatë viteve të kaluara.
Por, komuna që drejtohet nga Bashkim Ramosaj nuk kishte arritur që në kohë t’i kryente obligimet financiare ndaj kompanisë. Për këtë, kompania e kishte dërguar komunën te përmbaruesi.
“Limi Vizion” është në pronësi të Herolinda Ramosaj-Malaj, e cila është motra e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Në emisionin ‘Jeta në Komunë’ i pari i komunës së Deçanit e ka konfirmuar se kompania është e familjarëve të tij.
“Pronari i “Limi Vizion” është një djalë që e ka motrën time nuse” – ka thënë Bashkim Ramosaj.
Tutje, Ramosaj ka shpjeguar edhe punët që janë kryer nga kompania pronare e së cilës, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), është motra e tij.
“Nuk është tender që lidhet me komunën, janë tenderë për dy projekte, qoftë projekti i panairit qoftë projekti i “Ditës së gështenjave”, janë kampanje që i bëjnë organizatat që i marrin një pjesë të buxhetit për me i realizu këto” – ka thënë kryetari i Deçanit.
“Ata merren me qëso dokumente, reklama, qëso…” – tha tutje Ramosaj.
I pyetur, pse pikërisht kompania në pronësi të motrës, ai tha se nuk është zgjedhur pse është kompania në pronësi të familjares së tij.
“Nuk e kam këqyr kaq shpejt unë…me bë me këqyrë kështu, na krejt Deçani ilake dalim” – ka deklaruar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.