Irfan Fusha, pronar i 'Abi Çarshia' në Prizren. Foto: Kallxo.com

Kompania e Irfan Fushës merr tender 30 mijë euro pa konkurrencë në Komunën e Prizrenit

Edhe pse gjatë vitit të kaluar patën probleme e akuza ndaj njëri – tjetrit, Komuna e Prizrenit dhe Kompania “ Abi ShPK“ duket se kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe atë nëpërmjet një kontrate të nënshkruar në vlerë prej 30 mijë euro.

Më 4 maj, Komuna e Prizrenit i ka dhënë një kontratë në vlerë prej 30 mijë euro kompanisë “ Abi “ me pronar Irfan Fusha. Tenderi ka të bëjë me shujta që pritet t’u ofrohen familjeve skamnore në Prizren.

Në ndërkohë, disa zyrtarë të Komunës së Prizrenit janë të akuzuar për keqpërdorim detyre në lidhje me rrënimin e një objekti pa leje brenda qendrës “Abi Çarshia”, po ashtu pronë e Irfan Fushës.

Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që të bëjë furnizimin  me 500 shujta për 30 ditë për familjet të rasteve sociale në Komunën e Prizrenit.

Lidhur me këtë, komuna ka arritur një marrëveshje të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pra pa procedurë të tenderimit ku do të kishin aplikuar edhe operatorë të tjerë ekonomikë.

I kontaktuar nga KALLXO.com zyrtari përgjegjës i prokurimit Isa Osmankaj ka thënë se vetëm kompania “Abi” është kontaktuar për të marrë ofertën e tyre për shërbimet e kërkuara nga Komuna e Prizrenit.

“ Ne s ‘kemi pas nevojë me kontaktu më shumë operatorë, pasiqë që nga kompania ABI kemi marrë certifikimin teknik të shujtave edhe të gjitha detajet tjera të artikujve ushqimore, dhe kemi ardhëm në përfundim që çmimi është i tregut dhe kemi negociuar dhe nënshkruar kontratën “ ka thënë Osmankaj.

I njëjti ka thënë se kompania “Abi” është përzgjedhur pasi që “ është gjigant dhe lider në Prizren për ushqime dhe shujta të ngjashme”.

Çmimi i furnizimeve të cilat do të ofrohen është 30 mijë e 375 euro, ndërsa periudha e realizimit të kësaj kontrate është 30 ditë nga dita e hyrjes në fuqi pra nga data 04 maj kur është nënshkruar kjo kontratë.

Komuna e ka arsyetuar nënshkrimin e kësaj kontrate pa publikim të njoftimit ku do të mund të kishin ofertuar edhe operatorë tjerë ekonomik, me situatën e krijuar të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.

Andaj Komuna e Prizrenit ka vendosur që të ndihmojë me 500 shujta në ditë për 30 ditë  rresht familjet skamnore të cilave edhe më tepër iu është përkeqësuar gjendja ekonomike për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas kontratës së nënshkruar, operatori ekonomik “ Abi “ në një shujtë ka paraparë të shërben këto produkte ushqimore: Pleskavicë, lëngje, mollë, sallatë, ëmbëlsirë, dhe bukë.

Ndërsa për gatimin dhe transportin e produkteve ushqimore operatori ekonomik për 500 shujta për 30 ditë do të paguhet 0.50 cent për shujtë apo 7,500 euro në total.

Sipas kontratës së nënshkruar një pleskavicë do të kushtojë 0.50 cent, ndërsa për 500 shujta për 30 ditë operatori ekonomik do të shërbejë 15 mijë copë me vlerën prej 7,500 Euro.

Lëngu ka një çmim prej 0,25 cent, ndërsa për 15 mijë produkte do të paguhen 3,750 euro, ndërsa për produktin nën pikën 3 të kontratës Mollë për 15 mijë copë do të paguhen 3,000 euro në total apo 0.20 cent për copë.

Sallata dhe ëmbëlsira sipas kontratës do të paguhen me çmimin 0.20 cent për copë, apo për 15 mijë copë një çmim total prej 3 mijë Euro dhe buka do të paguhet 0.35 cent në shumën totale prej 2,625 euro për 7500 copë.

Në vlerë totale prej 30 mijë e 375 Euro kjo kontratë do të realizohet për 30 ditë me radhë, pra kto shujta do t’iu ofrohen familjeve në nevojë në baza ditore.

Komuna e Prizrenit dhe kompania “ Abi Çarshia “  nuk kanë pasur një të kaluar miqësore.

19 Korriku i vitit 2019 ishte dita kur Drejtoria e Inspektorateve me drejtorin Islam Thaqi ishin nisur për të rrënuar aneks objektin e ndërtuar pa leje në kompaninë “ Abi Çarshia”.

Në një ditë me shumë tensione dhe prani të madhe të Policisë, Drejtoria e Inspektoratit kishte filluar rrënimin, mirëpo puna iu kishte mbetur në gjysmë.

Ndërhyrja e Prokurorisë dhe një vendim i Gjykatës, kishte ndaluar vazhdimin e rrënimit.

Kur kishin kaluar 5 muaj nga ky aksion i drejtorie së Inspektoratit, gjashtë zyrtarë të saj përfshirë Drejtorin Islam Thaqi përfunduan me aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Nga aktakuzat e Prokurorisë nuk janë kursyer as menaxherët dhe familjarë të Irfan Fushës.

Ndaj tre personave është ngritur aktakuzë për kanosje dhe sulm ndaj gazetarëve ditën e 19 qershorit, kur filloi rrënimi i një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka kishte thënë se Komuna e Prizrenit ka nxjerrë 7 aktvendime për ndalim të punimeve, rrënim vullnetar dhe rrënim të dhunshëm.

Sipas Haskukës gjatë kësaj kohe, pasi që operatori kishte vazhduar ndërtimin e kundërligjshëm, Komuna ka bërë 5 kallëzime penale për largim të shiritave dhe për vazhdim të ndërtimit të kundërligjshëm.

“ Këtu fillojnë intervenimet dhe në shesh del e gjithë kapja e shtetit nga klanet mafioze.Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala në konferencën e datës 22 Korrik, tre ditë pas rrënimit të objekti pa leje, Kryeprokurori luan rolin e avokatit të kompanisë private dhe injoron aktvendimet legjitime të Komunës së Prizrenit” kishte deklaruar Haskuka.

Pronari i “ Abi Çarshisë “ Irfan Fusha Fusha, ish-kandidat për deputet i PDK-së, në deklaratën e tij në prokurori kishte thënë se dëmi i shkaktuar nga rrënimi i aneks objektit të “Abi Çarshia” tejkalon shumën prej 100 mijë euro.

Prokuroria e Prizreni bashkë me aktakuzën ka bashkangjitur edhe një ekspertizë të kryer në bazë të urdhëresës së Prokurorisë e dëmi i shkaktuar nga ekzekutimi i rrënimit të objektit   “Abi” arrin shumën e përgjithshme prej 69,729.66 euro.

KALLXO.com në korrik të këtij vitit pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks objektit pa leje me 19 Korrik të 2019-ës.

Nga aktakuzat e Prokurorisë nuk janë kursyer as menaxherët dhe familjarë të Irfan Fushës.

Ndaj tre personave është ngritur aktakuzë për kanosje dhe sulm ndaj gazetarëve ditën e 19 qershorit, kur filloi rrënimi i një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Një pjesë e kësaj qendre tregtare është ndërtuar pa leje dhe për më tepër mbi tokën ku parashihet një rrugë publike.

Komuna e pafuqishme karshi objektit pa leje te ‘Abi Çarshia’ – VIDEO