Kompania "Apple" do të rishikojë politikat e paraqitjes së hartave pas reagimeve për Krimenë

Kompania e njohur Apple tha se do të rivlerësojë se si do të identifikojë “kufijtë e ndarë” pas kritikave për paraqitjen e Krimesë si pjesë e Rusisë në hartat dhe aplikacionet e motit të përdoruesve rusë.

Zëdhënësja e kompanisë, Trudy Muller, tha për Reuters se do të risihkojnë sërish se si do t’i paraqesin kufijtë e ndarë si në rastin e Krimesë.

“Ne shikojmë ligjet ndërkombëtare sikur ligjet tjera në SHBA para se të marrim një vendim apo të bëjmë ndryshime”, tha ajo për Reuters.

Ambasadat ruse dhe ukrainase në SHBA nuk kanë komentuar për këtë çështje.

Pas raportimeve se Krimea paraqitet si pjesë e Rusisë, ambasada ukrainase në Uashington tha se ka dërguar letër ndaj kompanisë duke e shpjeguar situatën në Krime dhe duke kërkuar ndryshim të kufirit.

Rusia kishte marrë Krimenë nën kontroll në mars të vitit 2014 pas rrethimit të vendit me trupa ushtarake dhe duke mbajtur një referendum që u cilësua joligjor nga të paktën 100 shtete. Moska po ashtu mbështetë separatistët në luftën kundër forcave qeveritare që ka lënë më shumë se 13,000 persona të vrarë në Ukrainë më 2014.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Moska dhe SHBA bashkë me Bashkimin Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të veprimeve ndaj Ukrainës./REL