Kompania Amerikane për eksplorim dhe miniera kërkon të investojë 800 milionë euro në Kosovë

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat në një konferencë për media prezantoi sot një projekt të një kompanie amerikane për eksplorim dhe miniera me vlerë prej 800 milionë euro që sipas tyre mund të implementohet në Kosovë.

Kryetari i kësaj Federate, Jusuf Azemi kërkoi nga Qeveria e Kosovës përkrahje për këtë investim, të cilin sipas tij e ka rekomanduar edhe Ambasada Amerikane.

Ai tha se ky projekt ofron 4 mijë deri në 5 mijë vende pune direkte, me pagë minimale 800 euro dhe 15 mijë deri në 20 mijë vende pune indirekte me pagë minimale 500 euro.

”Kemi të drejtë që t’i themi stop ikjes nga Kosova” – tha Azemi.

Pronari i kompanisë “American Exploration and Mining LLC”, Grant Liverett tha se kanë mbajtur një takim me Ministrinë e Ekonomisë, ku sipas tyre u është thënë që për shkak të krizës energjetike nuk mund ta vazhdojnë përpara këtë projekt.

Mirëpo, sipas tyre ky projekt mund ta tejkalojë edhe krizën energjetike.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë për ta pyetur për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ai tha se është këtu për të ndihmuar Kosovën, për të ngritur cilësinë e jetëve të punëtorëve, të rrisë sigurinë në punë dhe të krijojë plan pensioni.

Sipas Liverett problemi kryesor i industrisë së minierave është se është e mbyllur, që nga lufta është shumë pak aktive.

Ai shtoi se ky investim nuk ka asnjë rrezik dhe dobësi për Kosovën.

Jon Dërguti, përfaqësues i kësaj kompanie tha se kjo kompani është në Kosovë që 7 vite dhe përgatitjet për këtë investim i kanë bërë duke bashkëpunuar ngushtë me Ambasadën Amerikane.

E poashtu tha se ky investim privat është i vetmi në Ballkan që nuk ka nevojë për garancion shtetëror, e shumë shtete te tjera janë të interesuar ta kenë.

Ndërsa, Azemi për grevën të cilën e kishin paralajmëruar tha se janë në përgatitje e sipër.

“Ne nuk do t’ia japim kënaqësinë kryeministrit Kurti të bëjë lojëra me punëtorët tonë. Ne do të hyjmë (në grevë) kur atëherë e shohim momentin ma të favorshëm.” – shtoi ai.