Kompani nga Sllovenia pritet t’i shtypin fletëvotimet për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut

Mbi 3,300 euro pritet t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës fletëvotimet për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Shtypjen e këtyre fletëvotimeve KQZ ua besoi kompanive nga Sllovenia përmes dhënies së kontratës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së fundmi ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për kryetar që do të mbahen në Mitrovicën e Veriut.

Për këtë tender, KQZ mjetet i ka siguruar nga buxheti i konsoliduar i Kosovës duke parashikuar një kontratë në vlerë deri në 3,525 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit, KQZ përdori procedurën e negociuar të prokurimit me kriter të dhënies çmimin më të ulët.

Përmes platformës së prokurimit “e-prokurimi” u zgjodh grupi i operatorëve ekonomikë “Cetis d.d; CETKOS L.L.C.”, me vlerë të përgjithshme të kontratës 3,358 euro.

Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, që pritet të mbahen më 29 nëntor, po mbahen pasi që kryetari i kësaj komune Goran Rakiq është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.