
Kamera
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Viti 2024 me më së shumti gazetarë të vrarë në tri dekada
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), në vitin 2024 janë vrarë më së shumti gazetarë që kur organizata filloi të mbledhë të dhëna tri dekada më parë.
Sipas një raporti të CPJ të datës 12.02.2025, numri i konflikteve në botë, qofshin ato të natyrës politike, kriminale ose ushtarake, është dyfishuar në pesë vitet e kaluara dhe kjo ka reflektuar në rritjen e numrit të vdekjeve të gazetarëve në vende si Sudan, Pakistan dhe Mianmar.
Mirëpo, sipas organizatës, konflikti me numrin e paprecedentë të gazetarëve dhe punëtorëve të medias të vrarë është ai në Gaza, me 85 të vrarë më 2024 dhe 78 më 2023. CPJ thotë se gazetarët palestinezë u vranë nga Izraeli gjatë konfliktit Izrael-Hamas.
Komiteti ka shtuar se të gjitha vrasjet e 2024 tregojnë rreziqet në rritje me të cilat përballen gazetarët dhe punëtorët e medias dhe kërcënimin që paraqet për rrjedhën e informacionit në mbarë botën.
“Totali global prej 124 vdekjesh tejkalon nivelin më të lartë rekord prej 113 të vrarëve në vitin 2007, kur në luftën në Irak ishin vrarë pothuajse gjysma e gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të mediave. Jashtë Gazës (85) dhe Libanit (3), CPJ dokumentoi vrasjen e 39 gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të medias në 16 vende gjatë vitit 2024” – ka thënë CPJ.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve vlerëson se kushtet mund të bëhen më vdekjeprurëse për punëtorët e mediave kur ata që i vrasin gazetarët nuk mbahen përgjegjës.
“Dhe më pak gazetarë do të thotë më pak informacion për qytetarët që kërkojnë të vërtetën” – ka theksuar CPJ.
Hulumtimi i Komitetit ka gjetur se të paktën 24 gazetarë në mbarë botën u vranë qëllimisht për shkak të punës së tyre në vitin 2024.