Komiteti Olimpik i Kosovës: Do të padisim ata që po e keqpërdorin imazhin e xhudisteve tona

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) përmes Facebook-ut ka bërë të ditur se kampionet olimpike të Kosovës në xhudo, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë pranuar me shqetësim hapjen e llogarive në emër të tyre në rrjetet sociale.

Në këtë njoftim po ashtu thuhet se asnjëra nga kampionet olimpike, duke përfshirë Majlinda Kelmendin,  nuk ka llogari as në Facebook dhe as në rrjetin social Instagram.

“KOK njëkohësisht ua bënë me dije të gjithë atyre që për përfitime të ndryshme, po e keqpërdorin emrin e kampioneve olimpike, duke dhënë edhe intervista për media të ndryshme, se do të ngrejë padi për keqpërdorim të imazhit të xhudisteve tona”, thuhet në reagim.

Xhudistet kosovare Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë fituar medalja të arta në Lojërat Olimpike Topkio 2020.

Kosova për herë të dytë po paraqitet në Lojërat Olimpike. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë.