Ukshin Hoti

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq demanton lajmin për gjetjen e trupit të Ukshin Hotit

Portali “Albanian Post” dje gjatë ditës ka raportuar se kinse është gjetur trupi i ish-profesorit Ukshin Hoti.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një përgjigje për KALLXO.com një lajm të tillë e ka quajtur të pavërtetë dhe të pabazuar në asnjë informatë të marrë nga ky komitet.

“KNKK-ja dëshiron të theksojë fuqishëm se ky raportim është krejtësisht i pasaktë dhe nuk bazohet në asnjë informatë të marrë nga KNKK-ja. Për më tepër, KNKK-ja bashkëndjen fuqishëm me familjarët e profesorit Hoti, në të cilët ky artikull ka pasur ndikim të keq emocional. Raportimi i pasaktë vetëm ua shton shqetësimin familjarëve të personave të zhdukur”, thuhet në përgjigjen e Komitetit.

KNKK është shprehur se tash e më tepër se 20 vite është duke punuar në emër të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë dhe se përgjegjësia për t’i informuar familjarët për identifikimin e të dashurve të tyre u takon vetëm autoriteteve përkatëse qeveritare të cilët merren me çështjen e personave të zhdukur.

Komiteti po ashtu sqaron se emrat e të identifikuarve nuk u jepen mediave dhe se një gjë e tillë është në diskrecion të familjarëve që ta bëjnë në rast se duan.

“Raportimi i pasaktë, edhe nëse është i paqëllimshëm, i pengon përpjekjet e të gjithë aktorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë për ta zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur”, thuhet tutje në përgjigje.

Madje një raportim i tillë është demantuar dje edhe nga kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, njëherësh kryetari i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit.

Andin Hoti e mohon se janë gjetur mbetjet trupore të Ukshin Hotit

www.kallxo.com