Fushë-Kosova - Foto: KALLXO.com

Komiteti i Auditimit në Fushë Kosovë jo efikas, shkakton sfida në përmbushjen e planit vjetor

Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës, kishte planifikuar që t’i kryej gjashtë auditime për vitin 2019, ndërsa kishte arritur t’i përfundoj vetëm dy prej tyre dhe një auditim me kërkesë nga menaxhmenti.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Brendshëm nuk kishte mbuluar fushat me rrezik të lartë: si të hyrat vetjake, shpenzimet përmes prokurimit, subvencionet, etj.

“Niveli i dobët i realizimit të planit të auditimit nga NJAB, zvogëlon sigurinë në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare. Mungesa e aktiviteteve efektive të auditimit të brendshëm mund të ndikojë në vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm dhe menaxhmenti të mos jetë në gjendje të reagoj me kohë për eliminimin e tyre”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas ZKA-së, kryetari duhet të sigurojë se sistemi i auditimit të brendshëm, vepron në mënyrë efektive, në mënyrë që t’i shtoj vlerë përmirësimit të aktiviteteve operative dhe cilësisë së kontrolleve të brendshme aktuale, e njëkohësisht të përmbushen edhe objektivat e planifikuara në planin vjetor të punës.

ZKA, gjithashtu kishte vërejtur që Komiteti i Auditimit nuk kishte përgatitur statutin, kishte mbajtur vetëm dy takime prej katër sa kërkoheshin.

Po ashtu, sipas auditorit Komiteti i Auditimit nuk kishte përgatitur as raportin vjetor i cili duhet të përfshijë informatat për: përshtatshmërinë e mjedisit të kontrollit të brendshëm, sistemit të menaxhimit të rrezikut dhe mënyrat e eliminimit të tyre, përshtatshmërinë e menaxhimit të sistemi financiar dhe raportimin etj.

“Arsyeja e mos përmbushjes së kërkesave të udhëzimit ishte mos funksionimi efikas i Komitetit të Auditimit”, thuhet në rapot.

Mos respektimi i udhëzuesit si dhe mos funksionimi efektiv i KA-së, sipas auditorit mund të ndikoj në pamundësinë e ofrimit të sigurisë për menaxhmentin e komunës në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e rrezikut në komunë.

Sipas ZKA-së kryetari duhet të sigurojë se Komiteti i Auditimit, funksionon në mënyrë efektive, jep kontributin e vet në qeverisjen e mirë, kontrollet e brendshme dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me NJAB-në.

Deri në fund të auditimit për vitin 2019, Komuna e Fushë Kosovës prej 14 rekomandimeve, shtatë rekomandime i ka zbatuar, pesë rekomandime nuk ishin zbatuar ende dhe dy rekomandime janë konsideruar të mbyllur.