Komisionerja e LDK-së, Sara Xhaka FOTO-KALLXO.com

Komisonerja ngre dyshime për votim të shumëfishtë në Mitrovicën e Veriut

Komisionerja e LDK-së , Sara Xhaka ka raportuar se në qendrën e votimit “Aziz Sylejmani”, në Mitrovicën e Veriut janë parë qytetarët duke votuar nga dy deri në katër herë.

 

 

 

Xhaka në një intervistë për KALLXO.com, tha se është komisionere tek dhënia dhe vulosja e fletëvotimeve dhe një shqiptare tjetër është tek kutia e votimit, kurse të gjithë komisioneret tjerë në tavolinë janë serb-folës.

Dyshimin që Xhaka e ka për bashkëpunimin e komisionerëve është se që nga hyrja tek dera kur kontrollohen gishtat, e deri tek spërkatja ka bashkëpunim.

Sipas saj gjëja që i ka ra në sy është se nuk po u spërkaten gishtat disa qytetarëve.

“Personi që është te dera është femër, te letërnjoftimet dhe personi që spërkat gishtat. Të tre janë serbfolës.  Çka po vërej është se dikujt po ja spërkat gishtin e dikujt jo. Mu krejt çka po më mbetet me ja dhanë fletën e votimit me vnu vulën dhe me votu ata”, tha ajo.

Ajo thotë se ka arritur që përmes fytyrës t’i identifikojë personat që kanë votuar nga dy ose tre herë.

“Kam pa njerëz që po vijnë ka dy ose tri herë që po votojnë dhe fytyra të njohshme, si po kalojnë aty te dera dhe si po nënshkruhen nuk e di për kënd ka dy tri herë aty është problemi i tyre dhe unë këtë gjë nuk e di”, tha ajo.

Ajo në intervistë ka sqaruar se ka shkruar një postim në mënyrë që ky mesazh të arrijë sa më parë në KQZ.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Mitrovicën Veriore ka thënë për KALLXO.com se kanë qenë në vendin e ngjarjes.

“Kemi qenë në vendin e ngjarjes për t’i verifikuar dyshimet dhe bashkë me prokurorin nuk kemi gjet se ka elemente të veprës penale por  janë hetuar pretendimet e saj që i ka bërë publike në rrjete sociale”, tha Hoti.

Sipas tij, komisionerja nuk i ka përcjellë disa procedura për ta lajmëruar kryesuesin por ka shkruar në Facebook.