Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, 18 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Komisioni s'e voton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të KRPP-së, kërkon sqarime rreth CV-ve

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), por nuk e ka votuar pasi do të kërkojë sqarime shtesë për CV-të e kandidatëve.

Kryetari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, tha se anëtarët e KRPP-së emërohen për një mandat 5-vjeçar pa të drejtë riemërimi.

“Dy kandidatët e propozuar për anëtar të KRPP-së nga Qeveria janë: Avni Sahiti-anëtar dhe Fidane Spahija Gjikolli-anëtare”, tha Muja.

Kjo pikë nuk është votuar dhe është shtyrë për një mbledhje tjetër, për të kërkuar sqarime Komisioni nga sekretariati dhe Qeveria për CV-të e kandidatëve.

Komisioni po ashtu ka votuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2021.

Kryetari i Komisionit, Muja tha se diskutimet për këtë pikë kanë përfunduar.