
Ilustrim
Komisioni qeveritar për Persona të Zhdukur: Më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona
Komisioni qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur e cilëson si hap të rëndësishëm për familjen e shoqërinë dakordimin e sotëm, më 17.12.2024, në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për formimin e një Komisioni të përbashkët – të kryesuar nga Bashkimi Europian – i cili do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Pas tre vjetësh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.” – thuhet në njoftim.
Në reagim, tutje, thuhet se Komisioni i përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen e sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona, sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave – përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse.” – thuhet në reagim.
Sipas Komisionit qeveritar, formimi i këtij Komisioni pritet të shënojë përparim drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes së personave të zhdukur. Gjithashtu – sipas reagimit – nëse ndodh një gjë e tillë, do të ndodhë edhe lehtësimi i dhimbjes së familjarëve, të cilët janë duke pritur drejtësinë e të vërtetën për më të dashurit e tyre.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur, gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve, me të dërguarin e Bashkimit Europian në Bruksel të martën.
Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një Komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje prej janarit.
“Tani mund të ecim tutje, që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e Komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë, që nuk do të ketë tendenca se në të ardhmen puna e këtij Komisioni të pengohet.” – tha Bislimi, raporton REL.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit, sa i përket zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Kemi Deklaratën, kemi Rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një Komision të përbashkët, që do të mbështesë grupin e punës, të cilin – si deri tani – e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.” – tha ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023, për Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur, në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.
Raporti 1 vjeçar i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është prezantuar më 17.12.2024, në Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këto materiale po arkivohen për “t’i shërbyer kujtesës së popullit dhe kërkesës për drejtësi”.
Materialet – sipas tij – do t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme, që të njohin vuajtjet e qëndresën e popullit të Kosovës, gjatë një periudhe të errët.