Komisioni përkatës i Parlamentit Evropian voton pro liberalizmit të vizave për Kosovën

Anëtarët e Komisionit të Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme kanë votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Marrëveshja e arritur në dhjetor mes Përfaqësuesve te Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, është miratuar me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.

“Marrëveshja triloge për liberalizimin e vizave me Kosovën u miratua nga Eurodeputetët me 48 pro, 7 kundër dhe 3 abstenime. Më pas, seanca plenare e i PE do të votojë për këtë çështje”- thuhet në njoftimin e Komisionit në faqen zyrtare në Twitter.

 

Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën pas miratimit të sotëm do të dërgohet për votim edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të dërgohet për votim në Parlament ndërsa është bërë e ditur se marrëveshja për heqjen e vizave pas Parlamentit duhet ta marrë edhe miratimin në Këshillin e BE-së.

Këtë e ka konfirmuar dje për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo.

“Ky votim(në komision) do të pasohet me votim nga seanca plenare e Parlamentit. Votimi i fundit nuk është caktuar, por ka mundësi që do të jetë gjatë shkurtit” – thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com

“Përpara se marrëveshja të miratohet përfundimisht, ajo ka nevojë edhe për miratimin e Këshillit të BE-së”- ka thënë për KALLXO.com, zyrtari për media i Parlamentit Evropian.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit të BE-së që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Për liberalizimin e vizave për Kosovën, me 14 dhjetor është arritur marrëveshja mes Përfaqësuesve të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së.

Sipas njoftimit për media, “Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.