Komisioni për të Zhdukurit ka bërë gërmime në 10 lokacione për mbetje mortore

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj në një konferencë për media, ka bërë të ditur se këtë vit janë bërë gërmime në 10 lokacione për kërkimin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

“Në pjesën e dytë të vitit kemi pas aktivitet edhe në Kosovë edhe ne Serbi. Në Serbi,  Kizhovaku është lokacioni i pestë ku janë gjetë mbetje mortore. Kurse,  në Kosovë kemi pas gërmime në 9 vende, të cilat kanë rezultuar me 11 mbetje trupash, që pas kësaj kanë është vazhduar me procesin e identifikimit më tutje”, ka bërë të ditur Manaj.

Tutje ai tha se këtë vit ky komision ka marrë pjesë edhe në forume rajonale si dhe falënderoi të gjitha palët për bashkëpunim, përfshirë EULEX-in, Prokurorinë Speciale dhe të tjerë.

“Çështja e të pagjeturve është ngritur në nivel më të lartë ndërkombëtarë edhe në procesin e Brukselit dhe Uashington me shpresë që në një marrëveshje me palën serbe do të ndodhë dhe kjo çështje do të jetë pjesë e saj”, shtoi Manaj.

Kurse, Arsim Gërxhaliu nga po ky komision tha se pas këtyre gërmimeve do të vazhdojnë më gërmime të tjera në stinën e pranverës.