Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin fuqizon viktimat dhe dokumenton të kaluarën

Në një diskutim publik lidhur me iniciativën e Presidentit Hashim Thaçi për formimin e një Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin, u bë thirrje që të ketë sa më shumë përfshirje publike në këtë proces në mënyrë që të ketë sa më shumë të dhëna për ndodhitë në Kosovë, që edhe më tutje kanë mbetur në një terr informativ për qytetarët e Kosovës.

Kushtrim Koliqi, anëtar i ekipit negociator tha se ky mekanizëm duhet t’i trajtojë familjet e të prekurve, gjithashtu ai u shpreh se këtij Komisioni i duhet përkrahje politike si dhe pavarësi në punën e tyre.

“Ky komision do ndihmojë në fuqizimin e viktimave, dokumentimin e të  kaluarës, duhet ta përgatisim shoqërinë për çdo gjë që del prej tij, gjithashtu ky Komision do ketë nevojë për një përkrahje politike si dhe një pavarësi gjatë dokumentimit të dhënave”, u shpreh Koliqi.

Nora Ahmetaj, anëtare e ekipit negociator, përmendi disa nga parimet, qëllimet, vlerat si dhe proceset mbi të cilat do kalojë ky Komision.

“Parimet e Komisionit të së vërtetës dhe pajtimit do respektojnë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e të gjithë personave, do mbrojë dhe fuqizojë viktimat, do jetë i përbërë nga njerëz me integritet, me një proces transparent. Nuk do jetë i ndikuar politikisht, do jetë i çasshëm për gjithë qytetarët e Kosovës, do parandalojë racizmin, seksizmin, diskriminim gjinor, fetar, etnik si dhe do analizojë në përpikëri ngjarjet e së kaluarës në përputhje me drejtësinë procedurale”, tha Nora Ahmetaj.

Tutje në raport thuhet se Presidenti i Kosovës ka emëruar ekipin përgatitor, me 9 anëtarë, 5 nga shoqëria civile.

Ekipi negociator do kryejë konsultime publike, takime me palët kyçe politike dhe civile në Kosovë, me qëllim të hartimit të dokumenteve të nevojshme për funksionalizmin e Komisionit.

Ky Komision nuk ka për qëllim të zëvendësojë drejtësinë, por të sigurojë mjete për trajtimin më të drejtë të palëve të prekurve nga konfliktet e dhunshme.

Të dhënat përfshijnë kryesisht ngjarjet nga viti 1989 deri 2008, përfshirë rezistencën paqësore 10 vjeçare të Kosovarëve për të cilën nuk ka shumë të dhëna në librat e historisë, periudhë kjo ku ishte bërë shkelje masive e te drejtave të njeriut, pastaj luftën deri në ndërhyrjen e NATO-së si dhe  trazirat e vitit 2004 e deri tek shpallja e pavarësisë.