Foto: KALLXO.com

Komisioni për ‘Super Sportistët’ hedh poshtë ankesën me pretendime për diskriminimin e dy sportistëve të Taekwondosë

Komisioni për Performancë të Lartë Sportive në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me ankesën e klubit ‘Fight Factory’ për emrat e propozuar për thirrjen ‘Super Sportistët’ nga Federata e Taekwondosë, ka thënë se emrat e propozuar nga Federata do të mbesin në listë.

Ky Komision (në email-in të cilin e ka parë KALLXO.com) thotë se janë marrë parasysh dy kritere kryesore.

“(Me prioritet trajtohen sportistët që kanë fituar medalje ndërkombëtare në Kampionate Evropiane dhe Botëror për senior apo të rinj, në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, dhe në Lojërat Olimpike për të rinj, me së paku dy fitore të arritura në garën ku ka fituar medaljen; – Sportistët të cilët kanë arritur të rangohen në top 8 në Kampionate Evropiane dhe Botëror për të rinj, në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, Lojërat Olimpike për të rinj me së paku dy fitore të arritura në garën ku ka fituar medaljen” – thuhet mes tjerash në këtë email.

Për kriterin e tretë ‘Potenciali i sportistit bazuar në matje të ndryshme profesionale të sportit përkatës’, nga ky Komision thonë se nuk marrin përgjegjësi.

Ky Komision përgjegjësinë e ka hedhur tek organet profesionale të Federatës.

“Dhe pasi bëhet fjalë për federata të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me të drejtë të organizimit të garave të sportit përkatës në territorin e Kosovës dhe prezantimit të shtetit në arenën ndërkombëtare, Komisioni ynë nuk e merr të drejtën të dal mbi vlerësimet e federatave, në situatën kur nuk plotësohen dy kriteret e para” – thuhet tutje në email.

Për sportistët Mal Sahiti dhe Sylejman Vizdiklar, për të cilët u ankua ‘Fight Factory’, Komisioni për Performancë të Lartë Sportive thotë se nuk kanë plotësuar dy kriteret e para.

Si rrjedhojë, sipas tyre, prandaj mbeten në listë emrat e propozuar nga Federata e Taekwondosë.

“Është përgjegjësi e federatës që të përzgjedh më të mirët, kurse Komisioni ynë nuk e ka të drejtën të përfshihet në debate e zhvillime të brendshme të federatave sportive” – thuhet në email.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje këtij Komisioni për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe se a janë analizuar sportistët se në çfarë aspekte emrat e propozuar janë para dy sportistëve për të cilët u kthye përgjigjja.

Në përgjigjen e këtij Komisioni thuhet se nuk mund të japin detajet për ankesat pasi që ky proces nuk ka përfunduar akoma.

“Procesi përfundon me shpalljen e listës përfundimtare të përfituesve dhe atëherë mund të përgjigjemi detajisht dhe me transparencë të plotë për pyetjet tuaja të cilat mund ti keni rreth raportit të komisionit. E gjitha që mund të thuhet për këtë fazë është se lista preliminare e sportistëve është bërë me propozimet e federatave sportive, ndërsa komisioni bënë vlerësimin e këtyre propozimeve në bazë të kritereve të përcaktuara në kuadër të programit” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e këtij Komisioni.

KALLXO.com pati raportuar për ankesën e Driton Sahitit, prindi i Mal Sahitit, i cili denoncoi se padrejtësisht jashtë liste u la djali i tij, i cili sipas tij ka pasur performancë më të mirë se sportisti i propozuar Elion Agushi.

Sahiti pretendoi se për emrin e Elion Agushit ndërhyri babai i tij, Arsim Agushi, i cili është edhe kryetar i Federatës së Taekwondosë.

Agushi ka hedhur poshtë pretendimet se ka ndikuar në këtë proces.

Storja e KALLXO.com për këto pretendime:

www.kallxo.com