Komisioni për Siguri i Kosovës takon me Komisionerin dhe ish-Komisionerin e Ushtrisë së Gjermanisë

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes ka mbajtur një takim ku kanë diskutuar me Eva Högl, Komisionere Parlamentare për Forcat e Armatosura të Gjermanisë dhe Reinhold Robbe ish-Komisioner.

Tema e diskutimi ka qenë lidhur me procesin legjislativ për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha pas takimit është deklaruar për media, duke falënderuar palën gjermane për kontributin dhe idenë.

“Ne i falënderojmë për kontributin që kanë dhënë dhe idenë, ne kemi punu dhe kemi edhe komisionerin për Ushtrinë e Kosovës. E kemi dërgu deri në leximin e dytë, presim që ky komisionar të filloj punën pasi të hyjë në fuqi”, ka thënë Berisha.

Tutje ai ka thënë se shumë shpejtë do të merret vendimi që ky ligj të hyjë në fuqi dhe pas kësaj do të fillohen edhe procedurat për emërtimin e komisionarit.

“Ne do të kemi komisioner për FSK-në për herë të parë”, tha deputeti Berisha.

Në anën tjetër, ish-Komisioneri për Forcat e Armatosura të Gjermanisë Reinhold Robbe tha se për të sot ka qenë një ditë emocionuese.

Ai ka thënë se gjendjen në Kosovë e ka përcjell që nga koha e luftës, në 1999.

“Për mua ka qenë sot një ditë emocionuese pasi kam përcjellë Kosovën që nga 1999, kam parë ushtarin e parë që ka zbritur këtu në Kosovë. Kam dëgjuar histori nga më të dhimbshmet, kam ardhur këtu, kam kryer vizita”, ka thënë ai.

Tutje Robbe ka shtuar se për të kjo ditë ka qenë ditë historike.

“Unë gëzohem shumë, i gëzohem faktit që Kosova është zhvilluar shumë”, tha ai.

Tutje Robbe shtoi se me deputetët e Komisionit për Siguri ka pasur një shumë të frytshme dhe të rëndësishme dhe se kanë marr përshtypjet më të mira.