Komisioni për Siguri i hap rrugën nismës legjislative për komisionerin e FSK-së

Me 7 vota për, një kundër dhe një abstenim, e pas shumë polemikash deputetët e komisionit për Siguri i kanë hapur rrugën nismës Legjislative për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Enver Dugolli, deputet i LVV-së tha që pozita e komisionerit për FSK-në, është e panevojshme sepse sipas tij të njëjtat përgjegjësi ndanë edhe avokati i popullit.

“Të gjitha këto detyra i ka avokati i Popullit, është e panevojshme që ne të dublifikojmë detyra dhe përgjegjësi. FSK i ka mekanizmat brenda saj, inspektoratin e FSK-së që mund t`i trajtoj ankesat, janë bordet, dhe nëse nuk mund t`i dhënë epilog ankesave, është Avokati i Popullit. Si anëtar i grupit punues dhe i komisionit jam kundër dhe propozoj që këtë nismë të mos e dërgojmë më tutje, dhe të merremi me çështje tjera”, tha ai.

Në anën tjetër, Anton Quni, deputet i LDK-së tha që komisioneri do të ishte një derë më e besueshme që pjesëtarët e FSK-së ti ushtrojnë ankesat e tyre.

“Në lidhje me përgjegjësitë e avokatit të popullit, ne e kemi pasur një takim, është fakt që ata kanë shprehur gatishmërinë. Që nga krijimi i FSK-së ata i kanë trajtuar dy raste nga dy ushtarak, avokati i popullit vet ka thënë që pjesëtarët e FSK-së, hezitojnë të ushtrojnë ankesa. Paga e një komisineri pritet të jetë sa e një deputeti, nuk e shoh të arsyeshme të flasim për shpenzimet kur e kemi parasysh temat dhe detyrat që do të mirren. Është fakt që brenda FSK-së ekziston inspektorati, bordi, të gjitha këto i kanë ushtritë e perëndimit, por ekziston edhe një institucion i jashtëm”, tha ai.

Quni tregoi se edhe para kujt do të jetë përgjegjës komisioneri për FSK-në.

“Autoriteti i komisionerit do të jetë përgjegjës para Kuvendit dhe komisionit për Siguri. Bëhet fjalë për një person që gëzon kredibilitet, besueshmëri, dhe e njeh natyrën e legjislacionit dhe natyrën ushtarake”, tha ai.

Bekë Berisha, kryetar i komisionit tha që edhe në komponentën rezervë të FSK-së ka probleme, prandaj edhe duhet një institucion për ti trajtuar këto probleme.

“Qasja e nivelit komandues, apo në ministri e kabinetit ka qenë shumë arrogante ndaj reërvistëve, kam informacione të ndryshme që është dashur dikush me i trajtu. Aty janë disa pjestarë që janë punësuar në kontratë mbi vepër për dy vite. Unë pajtohem që duhet me qenë një instucion që i trajton këto çështje”, tha ai.

Hisen Berisha deputet i PDK-së tha që FSK-ja duhet të ketë komisioner.

“Ky komisioner është jetik, nëse nxirret njeriu që e don ushtrinë e Kosovës i cili nuk është i komprometuar politikisht. Aty duhët të ketë një Avokat ushtarak, një asistent dhe një shkrues, pra 3/4 vetë, nuk matet me kosto por me efikasitet”, tha ai.

Rashit Qalaj tha që FSK duhet të ketë komisioner pavarësisht kostos financiare që mund të ketë.

“Pushtetet ndërrohen, kuvendi ndërrohet, FSK-ja do të qëndroj. Unë mendoj që komisioneri i FSK-së duhet të funksionoj pavarësisht kostos. Veprimtaria e tij caktohet me ligj, dhe neve na duhet një forcë stabile e fortë, duhet të jetë një trupë ku i shprehin shqetësimet”, tha ai.