Mbledhja e Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale. Foto: KALLXO.com.

Komisioni për Shëndetësi diskuton planin e punës për sesionin pranveror, kërkohet bashkëpunimi pozitë - opozitë

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka diskutuar për planin e punës së Komisionit, për sesionin pranveror 2023.

Kryetarja e komisionit Fatmire Kollçaku tha se i pret një sesion me një punë mjaft të madhe.

Ajo ka përmendur se gjatë këtij sesioni do të trajtohet Projektligji për sëmundje ngjitëse.

Deputeti Shemsedin Dreshaj ka kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që mos të bëjnë dallime pozitë opozitë që sipas tij kanë filluar në pesë takimet e fundit.

“Këto kanë fillua në katër – pesë takimet e fundit dhe fatkeqësisht po vazhdon”- shtoi Dreshaj.

Ai ka reaguar edhe për ligjin për shëndetësi.

“Nuk e kemi ligjin për shëndetësi e ne bisedojmë për ligjin për sëmundje ngjitëse”- shtoi ai.

Kryetarja Kollçaku reagoi duke thënë se në draft plan të punës janë të gjitha ligjet edhe ai për shëndetësi.

Ndërsa ka potencuar që edhe Projektligji për sëmundje ngjitëse është tejet i rëndësishëm.

“Po ju inkurajoj me vazhdu në frymën bashkëpunuese”- shtoi ajo.

Me shumicë votash, komisioni e ka miratuar planin e punës për sesionin pranveror.