Mbledhja e Komisonit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale voton fushëveprimin

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e radhës ka miratuar fushëveprimin e Komisionit.

Fushëveprimi është ndryshuar dhe përshtatur me emrin dhe detyrat e komisionit.

Ky Komision në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive, i shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me shëndetësinë dhe me mirëqenien sociale.

Kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj ka lexuar fushëveprimin e komisionit ndërkaq pas leximit ka kërkuar diskutim nga anëtarët e komisionit .

Nënkryetari i komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Haxhi Avdyli, tha se tashmë komisioni e ka të qartë fushëveprimin, pas fuzionimit të Ministrive.

“Meqenëse kemi ndryshim në Qeveri dhe ende nuk e kemi një Ligj për Qeverinë pasi kjo qeveri ka bërë zvogëlimin e ministrive dhe ne kemi pasur paqartësi në lidhje me fushëveprimin tonë duke e pasur të paqartë se ku do të jetë mirëqenia sociale. Fuzionimi i ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kaluar në dy ministri, Puna ka kaluar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Transfereve ndërsa Mirëqenia Sociale ka kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Avdyli.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka, tha se pajtohet me fushëveprimin e komisionit dhe se ndërkohë nëse kanë ndonjë kërkesë anëtarët e komisionit do ta shtojnë ndërkohë.

“Jam i pajtimit që të votohet fushëveprimi dhe mendoj që gjatë punës tonë të shohim të shtojmë ose heqim diçka varësisht asaj që na  del gjatë punës”, tha Uka.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, sikurse në mbledhjen e kaluar edhe në këtë komentoi për fuzionimin e ministrive dhe për shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Nuk është hera e parë që shkapërderdhen ministritë, por të shuhet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kam dëgjuar asnjëherë, uroj që të jetë e suksesshme sepse do të përfitonin qytetarët edhe pse në pushtet është një parti e majtë e e keni shuar ministrinë. Po ashtu propozoj që si komision ta bëjmë një vizitë nëpër pika kufitare dhe të shohim kontrollat që po ju bëjnë qytetarëve se a janë ashtu siç raportuan herën e kaluar në komision. Situata për Coronavirus do një vëmendje të veçantë nga komisioni ynë. Ne kemi bërë punë të mirë në mandatin e kaluar, kane qenë tri projektligje në punë e sipër, ai për vlerat e luftës, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, projektligji i lehonisë dhe kujdesit prindëror si dhe ai për ligjin e punës, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa Labinotë Demi- Murtezi, deputete në radhët e Vetëvendosjes tha se Qeveria e tanishme nuk duhet të paragjykohet për punën e suksesshme ose jo të suksesshme.

“Nuk duhet ta paragjykojmë suksesin dhe as punën e qeverisë, gjërat që ju po i thoni i kemi diskutuar herën e kaluar dhe besoj se asnjëri nga ne nuk kemi kohë t’i përsërisim gjërat. Ne duhet të punojmë dhe të mos lëmë përfitime personale sikur qe e pamë në raportime që nja person me pas rrogë asi soji. Ne duhet të punojmë për qytetarët dhe nuk besoj që asnjë qytetarë nuk do ta ketë problem që të futet në ndonjë skemë sociale”, tha Demi- Murtezi.

Kryesuesja e komisionit Albena Reshita i tha deputetes së VV se po fliste si e djathtë ndonëse është deputetet e një partie majtiste.

“Deputete, kur po ju dëgjoj duke folur po mendoj që ideologjia e deputetëve nuk po përshtatet me partinë politike, ju tashmë folët sikur e djathtë”, tha Reshitaj.

E deputeti Bekim Haxhiu përsëri replikoi se partia Vetëvendosje po bën demagogji me veprimet që po i ndërmerr

“Ju po bëni demagogji, edhe pse e dini që kur të hyjë në fuqi Ligji i Pagave përsëri kryeministri do ta ketë pagën 2000 e sa, pra nuk do ta ketë këtë rrogën që kinse e zvogëloi. Por gjithsesi ne ta bëjmë më të mirën tonë dhe në të mirë të qytetarëve dhe ta korrektojmë Qeverinë”, tha  Haxhiu.

KALLXO.com ka raportuar se në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni pati konfuzitet për fushëveprimtarinë e vet për shkak të ndryshimit të strukturës qeveritare pas kufizimit të numrit të ministrive në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Shkurtimi i ministrive krijon paqartësi, deputetët nuk dinë kë ta kontrollojnë