Komisioni Hetimor për PTK dhe Vala

Komisioni për PTK-në planifikon t’ia lë legjislativit të ri vazhdimin e punës

Rënia e qeverisë e ka lënë në një udhëkryq Komisionin Parlamentar Hetimor për PTK-në dhe Vala.

Ky komision po debaton nëse do duhej ta dorëzonte një raport me të gjeturat e deritanishme apo ta lejë vazhdimin e punës, deputetëve të rinj që mund të vijnë pas zgjedhjeve të përkohshme.

Ky komision është marrë me çështjen e punësimeve në Telekom dhe çështjen e kontratës së Telekomit me Z Mobile.

Qeveria me në krye Ramush Haradinajn ka rënë më 19 korrik, me dorëheqjen e këtij të fundit pas një ftese nga Gjykata Speciale. Tashmë është caktuar data 22 gusht për seancën e Kuvendit ku do të votohet shpërndarja e legjislativit.

Visar Ymeri(PSD), kryesues i këtij komisioni,  tha se ekzistojnë dy mundësi ligjore: Hartimi i një raporti për votim në Kuvend dhe e dyta, ta lejnë që punën ta vazhdojë një komision i ri.

“Unë më doj që më mirë ta lëmë një mundësi te re nga legjislatura e re e mos ta bëjmë një raport shpejt e shpejt për shkak të punës voluminoze. Për ta harruar krejt punën do të duhej që të jetë një komision i ri i cili do të kryente edhe intervistimet tjera”, tha Ymeri.

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së tha se koha ka qenë e shkurtër për këtë hetim parlamentar.

“Gjatë këtyre muajve kemi bërë punë te mirë, edhe sikur të vazhdonte puna e Kuvendit, nuk do të mjaftonin gjashtë muaj që t’i kryejmë të gjitha intervistimet, deri më tani vetëm 30 për qind të intervistuar”, tha Haxhiu.

Liburn Aliu, tha se një raport nuk duhet të dërgohet në Kuvend pasi e pengon punën e ardhshme.

“Nuk do të duhej të kemi një raport që votohet në Kuvend sepse do ta pengonte punën në të ardhmen. Unë propozoj që ta bëjmë një raport të punës, pra që legjislatura e ardhshme të dijë se çka kemi punuar, një lloj udhëzuesi”, tha ai.

Mialim Zeka tha se e ka ditur që kjo punë nuk mund të kryhet shpejtë.

“Puna për Telekomin e kam ditë që s’mund të kryhet për gjashtë muaj. 100 prokuror me pas qenë s’kishin mujtë sesa hajnia ka qenë. Unë propozoj që t’ia lëmë në dorë Parlamentit të ri që ta vazhdojë”, tha ai.

Edhe Armend Zemaj nga LDK u pajtua që puna të vazhdohet.

“Unë po mendoj që ta lëmë nje derë hapur, edhe pse dera është hapur për Prokurorinë e shtetit. Dokumentacioni duhet të klasifikohet dhe strukturoret që Kuvendi të vazhdojë. Ka pasur shpërdorime të parasë publike me OJQ fiktive me portale fiktive dhe këto ne i kemi të dëshmuara”, tha Zemaj.