Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komisioni për përzgjedhjen e Bordit të RTK-së i drejtohet zyrës ligjore për interpretim ligjor

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ka vendosur që t’i drejtohet zyrës ligjore të Kuvendit për disa paqartësi lidhur me aplikimin e kritereve për anëtarë të Bordit.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Armend Zemaj ka deklaruar se do të kërkojë interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit lidhur me rastet kur disa nga kandidatët që kanë aplikuar në konkurs aktualisht mbajnë pozitën e udhëheqëse të divizioneve në institucionet publike.

Sipas Zemaj, zyra ligjore duhet ta jap një interpretim, nëse kandidatët konsiderohen zyrtarë të lartë apo jo.

Zemaj përmendi edhe faktin se në mesin e personave që kanë aplikuar për bord të RTK-së, ka kandidatë që nuk kanë deklaruar nëse aktualisht janë në ndonjë marrëdhënie të punës apo jo, lidhur me këtë gjë, ai i kërkoi administratës që të kërkojë nga secili kandidatë që të deklarohet se a janë në marrëdhënie të punës apo jo.

Deklarimi i kandidatëve rreth marrëdhënies së punës, sipas Zemaj është i nevojshëm për shkak se në këtë mënyrë do të mund të vërtetohet nëse kandidatët aktualisht mund të ndodhën në situatë të konfliktit të interesit.

Lidhur me çështjen e konfliktit të interesit, anëtari i këtij komisioni, deputeti Fitim Uka kërkoi nga administrata që secilit kandidatë që ka aplikuar t’i dërgohet një email dhe të kërkohet nga të njëjtit që edhe një herë përmes një letre të deklarohen rreth konfliktit të interesit.

Kurse deputeti Armend Muja, e ngriti shqetësimin lidhur me kohën e limituar për të cilën tha se Bordi duhet të emërohet në mënyrë që deri në dhjetor të këtij viti të jetë funksional.

Muja kërkoi që Komisioni pa humbur kohë t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që në kohë sa më të arsyeshme të përfundoj ky proces i rekrutimit, duke propozuar që procesi të zhvillohet në formën e modelit të ndjekur nga Ambasada Britanike.

Po ashtu në mbledhje u përmend edhe fakti se në mesin e kandidatëve  që kanë aplikuar, ka edhe kandidatë të cilët janë të pensionuar, për çka Zemaj tha se personat që e kanë mbushur moshën e pensionimit nuk mund të thirren në intervistim pavarësisht përgatitjes që e posedojnë, për shkak se një gjë e tillë është e përcaktuar me ligj.

Lidhur me këto çështje, pritet që deri të mërkurën zyra ligjore e Kuvendit t’i kthej një përgjigje Komisionit, në mënyrë që të mund të vazhdohet me zhvillimin e mëtejmë të këtij procesi të rekrutimit.

Thirrja për aplikim për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës u hap në Korrik të këtij viti.

Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës. Shkarkimi i këtij bordi ngjalli shumë reagime. Opozita kundërshtoi fortë ndërsa deputetet e pozitës dhanë arsyet e shkakrimit.

KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike në Kuvendin e Kosovës ka siguruar listën e aplikuesve për anëtarë të Bordit të RTK-së.

Për këto tetë pozita kanë konkuruar gjithsej 127 persona nga komuniteti shqiptar apo rreth 16 aplikues për një pozitë të anëtarit të Bordit të RTK-së.

Më poshtë mund të shihni listën e plotë të aplikuesve: