Ilustrim

Komisioni për Ndihmë Shtetërore tregon masat për rimëkëmbjen e ekonomisë

Komisioni për ndihmë Shtetërore ka dhënë njoftimin në lidhje me rimëkëmbjen e ekonomisë pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

Sipas komunikatës së KNSh në këtë njoftim përfshihet korniza ligjore dhe instrumentet në dispozicion, për dhënësit e ndihmës, përfituesit dhe akterët e tjerë me qëllim të lehtësimit të krizës aktuale.

Në komunikatë thuhet po ashtu se dhënësit e masave të ndihmës, nga lista e mësipërme, në parim kanë në dispozicion një numër instrumentesh për të zbatuar këto masa siç janë grantet, subvencionet, kredi të favorshme, masa të lehtësimit të tatimeve, garancione për kredi, kompensimi i humbjeve të hyrave, kompensimi i dëmit për organizime të planifikuara etj.

Sipas njoftimit të KNSh-së përfituesit mund të jenë duke filluar nga ndërmarrjet eksportuese, NVM, transporti, turizmi hoteleria etj për aq sa masat e ndihmës janë të lidhura direkt dhe dëshmojnë lidhshmërinë dhe dëmin e pësuar nga COVID-19, janë të limituara në kohë, nuk tejkompensojnë dhe janë transparente dhe të qasshme për publikun.

Masat që janë në dispozicion për të ndihmuar ekonominë:

  1. Masat e ndihmës që nuk konsiderohen ndihma shtetërore në kuptimin e Ligjit 05/L-100 (neni 3 (1.1)) siç janë ndihma për individët, skemat sociale, shpenzimet e rritura në shëndetësi, dhe “ndihma horizontale” për të gjithë personat juridik pa përjashtim (p.sh. subvencione pagash, lehtësim për taksat dhe kontribute). Këto janë masa që deri tash janë zbatuar në kuadër të pakos emergjente të publikuar përmes vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/19 më datë 30.03.2020, i plotësuar/ndryshuar më 17.04.2020 me vendimin Nr. 06/25;
  2.  Ndihma De Minimis, deri në 200.000 Euro për kompani, për 3 vite fiskale. Është ndihmë që nuk kërkon autorizim paraprak të KNSH, me kusht që të ipet (nga dhënësi) sipas kritereve të përcaktuara me rregulloren De Minimis:  https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=27067.) dhe për të njëjtën të informohet Departamenti i Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Financave dhe Transfereve për ta futur në regjistrin e ndihmës De Minimis të Republikës së Kosovës;
  3.  Pasi që COVID-19 është edhe dukuri e jashtëzakonshme, edhe shqetësim serioz në ekonomi, masat e ndihmës shtetërore në përputhje me nenin 5 (1.2)  të Ligjit të Ndihmës Shtetërore 05/L-100 (ekuivalenti i nenit 107 (2)(b) dhe (3)(b) TFBE), mund të kenë dy objektiva dhe të jenë në dispozicion
  • masat që synojnë kompensimin e dëmit të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore ose situata të tjera të jashtëzakonshme, (ku bën pjesë edhe pandemia) përfshirë ndihmën për sektorët e prekur posaçërisht siç janë transporti, gastronomia/hoteleria, ose sektorë të tjerë, për aq sa përfaqësojnë ndihmë në pajtueshmëri me kriteret dhe autorizohen paraprakisht nga KNSH. Intensiteti i këtij lloji të ndihmës shtetërore mund të jetë deri në 100% të kostove të justifikuara, duke siguruar që edhe në rastet kur ka tejkompensim, të vendoset një mekanizëm i kthimit.
  • masat që synojnë sanimin e gjendjes nga një shqetësim serioz në ekonomi për aq sa jepen në pajtueshmëri me kriteret dhe autorizohen paraprakisht nga KNSH. Këto përbëjnë një numër masash që adresojnë problemet e likuiditetit të ndërmarrjeve/kompanive dhe përmes tyre sigurohet që vitaliteti I po të njëjtave të mos kërcënohet si pasojë e COVID-19. Këto masa janë pjesë e Kornizës së Përkohshme për rregullat e ndihmës shtetërore në kontekstin e COVID-19, e nxjerrë nga Komisioni Evropian në raport me shtetet anëtare, e cila është transpozuar dhe e gatshme për aprovim nga Qeveria e Kosovës. Korniza vendos disa limite parimore për të reflektuar natyrën e përkohshme të intervenimit të shtetit dhe mbështetë natyrën nxitëse që këto masa të ndihmës duhet të kenë për ekonominë e vendit.
  1. Si shtesë, në dispozicion dhe të mundshme janë edhe masat e ndihmës për shpëtim dhe ristrukturim në kuadër të nenit 6 të ligjit NR. 05/L-100 (ekuivalenti I nenit 107 (3)(c ) të TFBE), në raste të caktuara, duke iu nënshtruar kritereve përkatëse të definuara me udhëzues specifik dhe autorizimit paraprak të KNSH. Kjo ndihmë dedikohet për ndërmarrjet që kanë nevojë akute për likuiditet dhe / ose konsiderohen ndërmarrje në vështirësi, për shkak të shpërthimit të COVID-19.